Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila ka rrëzuar padinë që ai kishte ngritur ndaj Lulzim Bashës në vitin 2018 për shpifje. Përmes një postimi në platformën X, Rama ironizoi arsyetimin e gjykatëses, duke e quajtur atë “një ngjarje satirike gjyqësor” që duhet të shqetësojë të gjithë sistemin e drejtësisë.
“Nuk kam pësuar dëm, sepse ende jam kryeministër,” citon Rama arsyetimin e gjykatëses, që sipas tij, vendosi se shpifja nuk ekziston përderisa nuk ka ndikuar në perceptimin publik ndaj tij.
“Ky arsyetim nuk ka dalë nga ndonjë libër humoristik, por nga një gjykatë, dhe kjo gjykatëse që e ka dhënë vendimin paguhet më shumë se një mësuese apo një mjeke,” shkroi ai, duke e lidhur këtë rast edhe me kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për rritje page me 700 euro.
Rama shprehu dyshimet e tij për nivelin logjik të gjykatëses, duke e quajtur atë më të ulët se i një 12-vjeçari. Ai i kërkoi institucioneve të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, të ndërhyjnë dhe të vendosin përgjegjësi për raste të tilla, që sipas tij rrezikojnë besimin e qytetarëve te drejtësia.
“Problemi nuk është se çfarë ndodhi me një çështje për shpifje, por çfarë mund të ndodhë me çështje shumë më të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt njerëzit e zakonshëm,” përfundon Rama.
Reagimi i plotë:
Gjykata e Shkallës Parë Tiranë sot ka hedhur poshtë padinë time për shpifje ndaj Lulit në vitin 2018, për të cilën gjykatëses i janë dashur shtatë vjet që të dalë në konkluzionin se, unë “si paditës s’kam pësuar ndonjë dëm, pasi dhe aktualisht mbaj detyrën e kryeministrit dhe deklarata”, pra shpifja e Lulit “nuk ka ndikuar në perceptimin ndaj meje në publik”!!! Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra!!! Tani që ky arsyetim nuk ka dalë nga ndonjë libër humoristik, po nga një gjykatë dhe që arsyetuesi nuk është autori i “Ushtarit të mirë Shvejk”, po një gjykatëse që paguhet më shumë se sa një mësuese apo një mjeke nga taksat e shqiptarëve, ky është një fakt për të qarë e aspak për të qeshur – kur mendon pastaj edhe që kjo gjykatëse i përket Unionit që kërkon rritje page 700 Euro nga Gjykata Kushtetuese, qarja bëhet vajtim! Ndërsa po t’i shtosh pastaj kësaj ngjarjeje satirike gjyqësore, dyshimin për se si mund t’i vejë halli të drejtës së njerëzve për çështje më të rëndësishme në duart e një gjykatëseje të tillë, atëherë të vjen të pyesësh: A do zgjohet nga gjumi qeveria e Gjyqësorit, me këshilltarët e inspektorët e lartë dhe qindra punonjësit e administratës së saj të aq mirëpaguar, për t’i kaluar në filtrin e përgjegjësisë së lartë publike bëmat dhe gjëmat me të cilat përballet e drejta e njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve?! Dhe të kuptohemi mirë, halli nuk është farë çfarë bëri një gjykatëse me një çështje për shpifje, aq më tepër kur shpifësin në fjalë se marrin më seriozisht as këpucët pa lidhëse që vesh:-) Këtu halli është si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, të cilët e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12 vjeçari!!!