Në vigjilje të sfidës së nesërme ndaj Skënderbeut në Korçë, në orën 16:45, e vlefshme për javën e 24-të në Kategorinë Superiore, trajneri i Dinamos, Bledar Devolli është prononcuar përpara ndeshjes teksa deklaroi se ishte besimplotë për kthesën nesër dhe se zërat e trajnerit të ri nuk e shqetësojnë aspak:

“E rëndësishme është që po luajmë mirë. Kjo më bën optimist sepse duhet ta nisim nga pjesa e dytë ndaj Vllaznisë, që ekipi ka forcë, ka cilësi, shkojmë te porta dhe duhet të bëjmë ato gjëra ndaj Vllaznisë, nëse i bëjmë besoj se edhe kthesa e pikët do të vijnë.

Nesër është ndeshje shumë e vështirë ndaj një Skënderbeu që di të luajë futboll dhe në fushën e saj janë shumë të fortë. Kam frikë terrenin sepse mund të jetë i vështirë, kemi punuar mirë dhe me qetësi këtë javë dhe shpresojmë që nesër të na shpërblehet ky mund.

Do të doja të ishte një ndeshje me pozita të kundërta si ne si Dinamo dhe Skënderbeu që i ka dhënë tonin futbollit shqiptar apo edhe një qytet si Korça.

Këto janë kushtet dhe duhet të fitojmë nesër ndërkohë që i japim një ‘grusht’ rivalit tonë direkt dhe të shohim vetëm përpara. Kemi dy mungesa si Eni Imami dhe Rexhinaldo që shpresoj t’i kemi javës tjetër.

Pjesa tjetër është në rregull, Maliqi dhe Simoni janë rikthyer në grup dhe nesër të bëjmë atë lojë që kemi bërë në stërvitje dhe me pak fat të vijë rezultati.

Mua nuk më shqetësojnë zërat fare, shoh punën dhe skuadrën time, por nuk do të ishte mirë në këtë situatë ku jemi dhe për ekipin. Jam besimplotë që çdo gjë do të shkojë në rregull.”, përfundoi Bledar Devolli.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb