Një 6-vjeçar dhe nëna e tij janë sulmuar nga një qen endacak në një park në Nea Ionia të Volosit, Greqi. Fëmija ka pësuar dëmtime të rënda, veçanërisht në vesh, dhe pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin e Fëmijëve “Agia Sophia” në Athinë. Ngjarja ndodhi të mërkurën rreth orës 11:30, në parkun Agia Aikaterini, ku 35-vjeçarja kishte shkuar me djalin e saj që ai të luante.
Sipas dëshmisë së gjyshit të fëmijës, i cituar nga mediat lokale, djali po luante me një top kur qeni iu afrua dhe e sulmoi. Kafsha dyshohet se e rrëzoi në tokë dhe e kafshoi disa herë.
Nëna ndërhyri për të shpëtuar fëmijën, duke tentuar ta largonte qenin, por edhe ajo mbeti e lënduar nga kafshimet dhe gërvishtjet. Një drejtues automjeti që ndodhej pranë vendit të ngjarjes ndërhyri dhe i transportoi menjëherë nënën dhe fëmijën në Spitalin e Volosit, ku morën ndihmën e parë mjekësore.
Mjekët konstatuan se 6-vjeçari kishte një dëmtim të rëndë në vesh dhe vendosën transferimin e tij në Athinë për trajtim të specializuar dhe rehabilitim kirurgjikal.
Ndërkohë, familja ka deklaruar se do të ndjekë rrugë ligjore për të kërkuar përgjegjësi për ngjarjen, duke ngritur pretendime ndaj institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e qenve endacakë.
