Kryeministri Edi Rama ka uruar për ditëlindje Lorik Canën, ish- kapitenin e kombëtares shqiptare i cili sot feston 37- vjetorin e lindjes.

Rama thotë se Cana është i vetmi bartës i fanellës kuqezi që ka jetuar së bashku fushën e blertë të futbollit dhe historinë e shqiptarëve.

Më tej ai shton se ka bindjen se Cana së shpejti do të zbresë në arenë, kësaj radhë për të udhëhequr Shqipërinë a Kosovën, ose pse jo një armatë të trojeve të bashkuara të cilën duket se edhe kryeminisri e paska dëshirë apo ëndërr, një kombëtare të përbashkët.

 

STATUSI NGA EDI RAMA
#EDHE100?

LORIK CANA është ndoshta i vetmi bartës i fanellës kuqezi apo të paktën i vetmi që unë njoh, që fushën e blertë të futbollit dhe fushën e historisë së shqiptarëve, i ka jetuar si dy gjysmat e së njëjtës fushë të pasionit të tij. I dhënë tërësisht pas sportit më popullor në botë, qysh në fëmijëri, falë talentit, vullnetit dhe një babai të paepur në ëndrrën për ta parë djalin në majat e lojës me top, Loriku u ngjit lart e la gjurmë në çdo skuadër ku luajti. Ai mbajti shiritin e kapitenit në shpellën e ujqve francezë të Olimpikut të Marsejës dhe u bë simboli i Kombëtares së shqiponjave të mbledhura nga tërë trojet shqiptare, për ta çuar flamurin kuqezi për herë të parë në histori në Finalet e Europës.
Po çka e bën krejt të veçantë kingun kosovar, në rrugën e mundimshme drejt majave të futbollit, ku pati jo njëherë dhe taksiratin e dëmtimeve fizike që do kishin shtrirë përtokë edhe një elefant, është pasioni i tij për historinë, origjinën, gjuhën, luftrat, përpjekjet e shqiptarëve në shekuj. Nuk e di a ishte fanella kuqezi që e çoi Lorikun tek leximet mbi betejat e shqiptarëve në shekuj apo ishin leximet e betejave që e bënë atë ta përjetonte fanellën si koracë lufte për Shqipërinë në fushën e betejave sportive, por sa herë e kam takuar e folur me të për Kombëtaren, aq herë më është dukur sikur flisja me ndonjë prijës ushtarak të etur për fitore të vështira, e jo me një sportist të ngopur me lavdinë e tij.
Loriku u tërhoq nga fusha e blertë, kur trupi i plagosur nuk e ndiqte dot më ambicien e heroit, për të udhëhequr me forcën e shembullit beteja deri në pikën e fundit të gjakut dhe iu përkushtua krijimit e zhvillimit të një fondacioni për fëmijët.
Duke ia uruar sot ditëlindjen kapitenit të paharrueshëm të kuqezinjve, nuk e di pse kam bindjen se nuk do të jetë e largët dita kur prijësi i hijshëm, do të zbresë përsëri në arenë për të udhëhequr kuqezinjtë e Shqipërisë a verdheblutë e Kosovës apo kushedi, pse jo, një armatë të trojeve të bashkuara në të ardhmen, në ndonjë luftë sportive të paharrueshme përsëri. Amen!

#TëRRALLË

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb