Dinamo do të përballet me Elbasanin këtë fundjavë në Superiore dhe Daja do të duhet të improvizojë në formacion për shkak të dëmtimeve të shumta në skuadër dhe mungesave.

Në sfidën e fundit me Vllazninë, nga fusha u largua i dëmtuar Lorran i cili u zëvendësua nga Ismaili ndërkohë që raportohet se mbrojtësi ka pasur një lodhje muskulore, duke qenë se në disa ndeshje ka qenë në stol dhe nuk ka marrë ngarkesë maksimale. Ditët e fundit, ai është bashkuar në stërvitje por ditët në vazhdim do të vlerësohet gjendja e tij për ta parë nëse gati për sfidën me Elbasanin apo jo.

Nëse Lorran nuk ia del, me shumë gjasa Ismaili do të jetë titullar në të majtë e Meksi do të konfirmohet sërish nga e djathta, pasi edhe në sfidën me Vllazninë, bëri një paraqitje të mirë. Ndërkohë, Qefalija ka pësuar një tërheqje muskulore dhe do të mungojë disa ditë, ku sfida me Elbasanin duket e vështirë të arrihet duke qenë se mund të rrezikohet një dëmtim që e mban jashtë edhe më gjatë dhe me shumë gjasa do të rikthehet javën tjetër. Jashtë do të jetë edhe Neziri pasi edhe gjendja e tij është në vlerësim dhe stafi nuk do të rrezikojë që ta dëmtojë, duke i lënë kohën e mjaftueshme për riaftësim dhe për të qenë gati për vazhdimin.

Sa i përket Alijit, situata e tij është më e komplikuar duke qenë se mbrojtësi i Kombëtares iu nënshtrua një operacioni për pubalgjinë pak javë më parë dhe pritej që të rikthehej në fushën e blertë rreth mesit të muajit janar. Por, situata ka ndryshuar duke qenë se Aliji u bashkua me grupin në fillim të këtij muaji dhe duket se rikthimi në fushën e blertë ka qenë më shpejt sesa duhej, e tani, pritet që Aliji të rikthehet në fushë pas rreth 1 muaji.

Mungesa e Alijit është padyshim një mungesë shumë e rëndësishme për Dinamon duke qenë se ishte kthyer në lider të mbrojtjes në 2 sezonet e fundit, megjithëse edhe Teikseria është duke bindur me paraqitjet e tij. Jashtë është edhe Ledio Beqja që vazhdon seancat e rikuperimit për të qenë gati dhe me shumë gjasa, të gjithë lojtarët mund të rikthehen në hark të ngushtë kohor për të plotësuar skuadrën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb