TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim duket se nuk e ka pritur mirë emërimin e Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm pas shkarkimit të Saimir Tahirit. Pak orë pasi kryeministri Edi Rama bëri publikë emrat e 4 ministrave të rinj, opozita nisi sulmet dhe akuzat ndaj tyre.
Por me sa duket jo vetëm opozita, pasi zëra kundër janë shfaqur edhe nga LSI.
Konkretisht Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së, Ralf Gjoni, njëherazi këshilltar për Marrëdhëniet me Jashtë i kreut të Kuvendit, Ilir Meta, ka publikuar sot në rrjetet sociale një foto të Xhafajt me diktatorin Enver Hoxha.
Gjoni e akuzon publikisht ministrin e ri të Brendshëm si komunist të vjetër dhe që sipas tij me gjasë do të përkeqësojë krizën politike në vend.
“E fundit nga Shqipëria. Komunisti i vjetër si ministër i Brendshëm me gjasë do të përkeqësojë krizën politike”, – shkruan zyrtari i LSI-së, Ralf Gjoni.

Ndërkohë në një status pak orë më vonë këshilltari i kreut të Kuvendit, ka përgënjeshtruar deklaratat kundër Xhafajt. Sipas tij, llogaria në “Facebook” është hakeruar nga persona të panjohur që i kanë bërë këtë postim që siç shprehet, nuk i përket. Ralf Gjoni thotë se e ka hequr statusin e vënë nga ‘dashakeqë’ që janë futur në “Facebook-un” e tij.
“Të nderuar miq, sapo kam mbërritur në Finlandë pas një udhëtimi të gjatë dhe shoh që rrjetet qenkan mbushur me një ‘status’ në emrin tim të cilin nuk e kam vënë unë, lidhur me një lajm të një portali mbi Ministrin e ri të Brendshëm. Sqaroj për miqtë e mi dhe mediat që statusi sapo është hequr nga unë dhe dua të konfirmoj që ky nuk ka qenë postim nga ana ime. Nuk e kuptoj dashekeqësinë e atyre që kane arritur të futen në Facebookun tim dhe më kanë atribuuar një status që nuk më përket… Ju falënderoj për mirëkuptimin!”, shkruan Gjoni në përgënjeshtrimin e tij.
(m.k/BalkanWeb)
