Sot shënohen plot 197 vite nga vdekja e sunduesit dhe feudalit më të fuqishëm të Shqipërisë së Mesme dhe Jugore, Ali Pashë Tepelena. I njohur si “Luani i Janinës”, Ali Pashë Tepelena, në historiografinë shqiptare njihet më së miri si themelues i Pashallëkut autonom të Janinës, si dhe si kryengritës kundër pushtetit të Portës Osmane në Shqipëri.

“Luani i Janinës”, lindi rreth viteve 1740-1750 në Tepelenën e Labërisë, dhe vdiq më 24 Janar 1822 duke mbrojtur trojet shqiptare të Epirit nga forcat osmane. Familja e Ali Pashës ishte një nga familjet me të forta në trojet shqiptare.

Stërgjyshi i tij Muçojaka ka qenë Be nga Gjirokastra dhe besohet të ketë qenë nënguvernator i nahijes së Tepelenës, qytet që ishte pjesë e Sanxhakut të Vlorës. Gjyshi i tij, Muhtar Pasha ishte luftëtar, i famshëm për trimërinë e tij, shkruan KP.

Vdiq në rrethimin e Korfuzit (pasi shkatërroi një pjesë të mureve veneciane) duke komanduar forcat osmane në 1716. Muhtar Pasha kishte 3 fëmijë: Salek, Mehmet dhe Veli. Ali Pashë Tepelena si i ri u dallua shumë shpejt për aftësitë e tij dhe për energjinë me të cilën ndoqi planet e veta ambicioze për t’u bërë sundimtar i vetëm i vendit duke përdorur gjithë mjetet, dhunën, dinakërinë, po aq sa edhe lidhjet familjare me feudalët e tjerë vendas.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: