Detaje të reja nga një telefonatë mes kryeministrit hungarez Viktor Orbán dhe presidentit rus Vladimir Putin në tetor kanë nxitur reagime, pasi tregojnë gatishmërinë e Budapestit për të ndihmuar Moskën në lidhje me luftën në Ukrainë. Sipas një transkripti të publikuar nga qeveria hungareze dhe të analizuar nga Bloomberg, Orbán i ka thënë Putinit se ishte “në dispozicion për çdo gjë” dhe i gatshëm të organizonte një samit në Budapest për t’i dhënë fund konfliktit. “Dje miqësia jonë arriti një nivel kaq të lartë sa mund të ndihmoj në çdo mënyrë”, citohet të ketë thënë Orbán, duke përdorur edhe një metaforë nga fabulët e Ezopit, gjë që, sipas raportimeve, shkaktoi të qeshura nga Putini.
Në reagimin e tij për Bloomberg, Orbán tha se të njëjtën gjë ia kishte thënë edhe Donald Trump, duke shtuar: “Madhësia ka rëndësi”. Telefonata vjen në një moment të ndjeshëm politik për Hungarinë, ndërsa vendi përgatitet për zgjedhje, me sondazhe që sugjerojnë se Orbán mund të përballet me një sfidë serioze pas 16 vitesh në pushtet. Gjatë bisedës, të dy liderët shprehën vlerësim për njëri-tjetrin dhe diskutuan edhe për një samit të mundshëm me pjesëmarrjen e Trump, i cili në fund nuk u realizua. Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan J. D. Vance vizitoi Budapestin në prag të zgjedhjeve. Orbán e përshkroi marrëdhënien me Putinin si më të fortë se kurrë, ndërsa presidenti rus vlerësoi qëndrimin “të pavarur dhe fleksibël” të Hungarisë në lidhje me luftën në Ukrainë. Hungaria ka kundërshtuar vazhdimisht ndihmën për Ukraina, ndërsa retorika e qeverisë hungareze shpesh e portretizon presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky si kundërshtar.
Akuza dhe përplasje politike
Zbulimet vijnë pas raportimeve se ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó ka ndarë informacione me Moskën mbi diskutimet brenda Bashkimit Evropian, akuza që ai i ka mohuar. Ndërkohë, lideri i opozitës Péter Magyar ka premtuar se do ta rikthejë Hungarinë në linjën kryesore të politikave evropiane dhe do të distancohet nga Rusia nëse fiton zgjedhjet. Biseda mes Orbán dhe Putin nisi me urimet për ditëlindjen e liderit rus dhe përfundoi në një ton miqësor, me shkëmbime batutash për jetën personale dhe aktivitetet sportive, duke reflektuar raportet e ngushta mes dy liderëve.
