Fakulteti ekonomik në Universitetin Luarasi ka mbajtur Konferencën e Dytë Shkencore Ndërkombëtare mbi Ekonominë, Globalizmin dhe Identitetin. Në bashkëpunim me Universitete e Puatjesë dhe Montpeljesë në Francë, Universitetin Aldo Moro në Bari dhe disa institucione shqiptare, të pranishmit folën për “Sfidat e shumëfishta të zhvillimit ekonomik në ekonomitë e vendeve të vogla”. Në fjalën përshëndetëse, rektori i Luarasit, Prof. Dr. Av. Maksim Haxhia theksoi rëndësinë e diskutimeve.
“Universiteti “Luarasi”, mbetet i përkushtuar të nisë analizën, debatin shkencor dhe mendimin kritik. Të gjitha këto në funksion të formimit të një brezi të ri, që jo vetëm të jetë i orientuar dhe të kuptojë botën globale, në të gjithë dimensionet dhe parametrat e saj por, edhe të dijë të ruajë dhe të promovojë identitetin e vet në këtë realitet të ri”, tha Haxhia.
Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, veçoi rolin e ekonomisë së dijes.
Duke kujtuar, gabimet e ekonomisë shqiptare në këto 35 vite, gabimet me tokën, ndërtimet pa kriter, firmat piramidale, drogën dhe braktisjen e fshatrave, profesor Sherif Bundo, analizoi investimet e huaja dhe gabimet që vijojnë të bëhen. Sipas tij nëse në vitin 2025 në ekonominë shqiptare u investuan 1.4 miliardë euro, rezulton se përveç blerjes së pronave, riinvestimeve, investimeve të emigrantëve ose kompanive të huaja me investitorë shqiptarë: “Vetëm 8-11% e këtyre investimeve janë investimeve në parqe fotovoltaike”
Bundo tha se vendi ynë është një ekonomi që menaxhon emergjencat të provokuara nga zjarret, përmbytjet, thatësira, gabimet në investime dhe rrëzimin e rrugëve me shifra që variojnë nga 140 mln deri në 1.4 miliardë euro.
