TIRANE- Ditën e djeshme Kolegji Universitar “Luarasi” ka nisur dje procesin e regjistrimeve të studentëve për vitin e ri akademik 2018-2019. Vetëm në ditën e parë numri i maturantëve që janë bërë pjesë e këtij universiteti ka qenë 7 herë më i lartë, krahasuar me vitin e kaluar. Rektori i “Luarasit”, prof. dr Ethem Ruka shprehet se fluksi i studentëve tregon qartë dëshirën dhe interesin e të rinjve për të vijuar studimet në këtë institucion elitar të arsimit të lartë.

“Sot është dita e parë e regjistrimeve në universitete, dhe ne e presim me shumë entuziazëm si punonjës të arsimit të lartë, pasi me fundin e pushimeve, godina po merr gjallërinë e saj të zakonshme. Regjistrimet po ecin jashtëzakonisht shumë mirë e deri tani kemi një fluks maturantësh që po vijnë e po regjistrohen në të gjitha fakultetet që “Luarasi” ofron. Jemi shumë të gëzuar pasi shifrat me të vërtetë janë shumë premtuese”,- tregon Ruka

Më tej, ky i fundit bën me dije se vetëm ditën e djeshme, numri i të regjistruarve në një nga programet Bachelor ka qenë 7 herë më i madh se në 2017- ën. “E gjithë kjo është fryt i reputacionit shumë pozitiv që ka “Luarasi”. Them me bindje se rritja e përzgjedhjes së këtij universiteti po kthehet në një realitet dhe numri i studentëve do të vijë duke u rritur”, – thotë më tej rektori i Kolegjit Universitar Luarasi.

FAKULTETI EKONOMIK
Edhe pse numri i kuotave të përcaktuara për programet e studimit në Fakultetin Ekonomik pranë “Luarasi”-t ka qenë 200, aplikimet e studentëve i kanë tejkaluar pritshmëritë. Sipas dekanit të këtij fakulteti, Mateo Spaho mbi 500 maturantë kanë aplikuar në një nga degët e Ekonomikut. “Që prej orës 8:30 të ditës së sotme (djeshme) ka filluar procesi i regjistrimit pranë Kolegjit Universitar “Luarasi” dhe natyrisht numri dhe fluksi i studentëve është mjaft i lartë.

Vetëm për Fakultetin Ekonomik ka pasur 509 aplikime, në një kohë që Luarasi ka vetëm 200 kuota në dispozicion. Ne i ftojmë studentët që kanë aplikuar në këtë fakultet që të regjistrohen sa më shpejt pasi kuotat realisht po përfundojnë”, – thotë Spaho. Më tej ky i fundit tregon se universiteti “Luarasi” është një institucion arsimor që ofron shanse të rëndësishme dhe jo vetëm në formimin akademik, por edhe në tregun e punës në të ardhmen. Sipas dekanit të Ekonomikut, në fakultet do të organizohen 6 aktivitete të ndryshme ku do të flitet mbi lidhjen me kompanitë e sigurimeve, kontabilitetit e ato të aktiviteteve prodhuese. Plani strategjik parashikon nënshkrimin e kontratave për të dërguar studentët e “Luarasit” pranë këtyre kompanive me synim kryerjen e intershipeve dhe gjetjen e mundësive të punësimit.

FAKULTETI I DREJTËSISË
Edhe në Fakultetin e Drejtësisë të Kolegjit Universitar “Luarasi”, kërkesat e maturantëve i kanë tejkaluar pritshmëritë. Përgjegjësja e departamentit të së Drejtës Publike pranë Fakultetit Juridik në këtë institucion, Dr. Dorina Gjipali tregon se aplikimet kanë qenë disa herë më të larta se kuotat e vendosura në dispozicion. “Aplikimet në nivelin Bachelor janë përtej pritshmërive që ne kishim, madje kanë kaluar edhe numrin e kuotave të përcaktuara dhe për këtë fakt jemi shumë të kënaqur. Regjistrimet filluan sot (dje) pra në 30 gusht dhe përfundojnë në 12 shtator e gjatë kësaj periudhe kohore studentët kanë mundësi të bëjnë regjistrimet”,- thotë Gjipali.

Më tej kjo e fundit i fton të gjithë maturantët që të shpejtojnë për t’u bërë pjesë e Luarasit, në mënyrë që të zënë një nga kuotat e vëna në dispozicion.

FAKULTETI I TEKNOLOGJISË SË INFORMACIONIT DHE INOVACIONIT
Maturantët e këtij viti kanë shfaqur një interes të lartë edhe për fakultetin më të ri pranë universitetit “Luarasi”, përkatësisht në programet e studimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit. Zv. Rektorja e këtij institucioni elitar, Anni Dasho Sharko tregon se ky fakultet vjen në funksion të kërkesave të tregut të punës.

“Procesi i regjistrimit vetëm në këtë ditë të parë ka shkuar shumë mirë. Ne këtë vit vijmë me një risi, Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit, e madje pritshmëritë kanë qenë tejet të mira për një fakultet që sapo është hapur dhe kërkesat e gjimnazistëve kanë qenë shumë të mëdha. Numri i aplikimeve për këtë fakultet ka qenë rreth 300, përkundrejt kuotave që ne kemi vënë në dispozicion.

Interesi për këtë fakultet ka qenë tejet i lartë edhe gjatë muajit gusht, ku maturantët kanë kërkuar informacion të vazhdueshëm mbi programet e studimit që ofrohen”,-thotë Sharko. Kjo e fundit thekson se fakulteti i ri është brenda kërkesave që tregu real në Shqipëri kërkon. “Bashkëpunimet për studentët tanë do të jenë akoma edhe më të mira me pjesën e teknologjisë së informacionit. Risia për studentët e Bachelorit në këtë fakultet do të jenë dy akademitë që ne jemi duke i ngritur, përkatësisht akademia ‘Cisko’ dhe akademia ‘Microsoft’ që do iu vijnë në ndihmë të rinjve që zgjedhin “Luarasin”,- thekson zv. rektorja.

STUDENTËT E RINJ
Vetë studentët e saporegjistruar në Kolegjin Universitar “Luarasi”, shprehen tejet të kënaqur për zgjedhjen që kanë bërë. Ata e shohin këtë institucion të arsimit të lartë si rrugën e vetme drejt një të ardhmeje të sigurt profesionale. “U regjistrova në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit pasi është një degë që më tërheq. Zgjodha universitetin “Luarasi” pasi ka standarde të larta mësimdhënieje, staf të përgatitur dhe të afërmit e mi që kanë qenë pjesë e tij më kanë rekomanduar që të bëj këtë zgjedhje për të ardhmen time”,-tregon studenti.

Ndërkohë një tjetër student, thotë se edhe pse ka pasur mundësi të studiojë jashtë, është rikthyer për të qenë pjesë e “Luarasit”, pasi sipas tij ofron punësim të sigurt. “Zgjodha “Luarasin”, pasi në të gjithë opsionet e tjera, ky universitet ia vlen. Kam jetuar jashtë shtetit për rreth 6 muaj me një bursë e kam parë plot institucione arsimore, por mendoj që eksperienca dhe diploma e “Luarasit” do të më hapë shumë dyer për të ardhmen”,- thotë studenti.

Ethem Ruka: Fluks studentësh
“Sot është dita e parë e regjistrimeve në universitete, dhe ne e presim me shumë entuziazëm si punonjës të arsimit të lartë, pasi me fundin e pushimeve, godina po merr gjallërinë e saj të zakonshme. Regjistrimet po ecin jashtëzakonisht shumë mirë e deri tani kemi një fluks maturantësh që po vijnë e po regjistrohen në të gjitha fakultetet që “Luarasi” ofron. Jemi shumë të gëzuar pasi shifrat me të vërtetë janë shumë premtuese”,-tregon Ruka.

Mateo Spaho: Nxitoni të regjistroheni
“Që prej orës 8:30 të ditës së sotme (djeshme) ka filluar procesi i regjistrimit pranë Kolegjit Universitar “Luarasi” dhe natyrisht numri dhe fluksi i studentëve është mjaft i lartë. Vetëm për Fakultetin Ekonomik ka pasur 509 aplikime, në një kohë që “Luarasi” ka vetëm 200 kuota në dispozicion. Ne i ftojmë studentët që kanë aplikuar në këtë fakultet që të regjistrohen sa më shpejt pasi kuotat realisht po përfundojnë”,- thotë Spaho.

Dorina Gjipali: Tejkalim pritshmërish
“Aplikimet në nivelin Bachelor janë përtej pritshmërive që ne kishim, madje kanë kaluar edhe numrin e kuotave të përcaktuara dhe për këtë fakt jemi shumë të kënaqur. Regjistrimet filluan sot (dje) pra në 30 gusht dhe përfundojnë në 12 shtator e gjatë kësaj periudhe kohore studentët kanë mundësi të bëjnë regjistrimet”,-thotë përgjegjësja e departamentit të së Drejtës Publike pranë Fakultetit Juridik në këtë institucion, Dr. Dorina Gjipali. /Gsh.al/
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb