Drejtuesi i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit në Universitetin “Luarasi”, Ilirjan Margjeka, i ftuar në studion e News24, ka folur gjerësisht mbi programin prestigjioz të inkorporuar në këtë universitet në bashkëpunim me London School of Economics (LSE). Margjeka detajoi sfidat e implementimit, rëndësinë e këtij unioni akademik dhe benefitet e jashtëzakonshme që përfitojnë studentët shqiptarë.

Gjatë fjalës së tij, ai pranoi se fillimi i këtij rrugëtimi nuk ka qenë i thjeshtë për shkak të ndërthurjes së dy legjislacioneve të ndryshme, por e cilësoi si një sukses të madh arritjen e këtij standardi.

“Ka pasur vështirësi në adaptimin e këtij modeli. Kemi ligjin shqiptar për të ndjekur, por edhe palën britanike për të ndjekur, duhet të ndiqen të dy sistemet paralelisht. Fakti që arrijmë deri këtu është sukses, bu me kalimin e kohës kjo do kthehet në rutinë,” u shpreh Margjeka, duke shtuar se angazhimi ka qenë maksimal nga të gjitha palët: “Të gjithë duam që kjo të funksionojë dhe ky mund të quhet një vit shumë i suksesshëm. Të gjithë si pedagogë dhe studentë, të gjithë jemi duke mësuar gjithë kohën.”

Më tej, drejtuesi i departamentit vuri theksin te pesha ndërkombëtare që mbart ky bashkëpunim me London School of Economics, duke kujtuar se Shqipëria dhe Universiteti “Luarasi” kanë shënuar një rekord në rajon. “Ka pasur edhe një bashkëpunim me London School of Economics. Ka disa benefite për studentët. Këto kurrikula janë nga LSE, nuk janë shqiptare. Është një nga universitetet më të mira në botë, top 3 në botë. Ka staf pedagogjik shumë të përgatitur dhe ata kanë degë në të gjithë botën. Shqipëria është e para në Ballkanin Perëndimor që ka një degë të tyren këtu. Luarasi ka bindur këtë gjigant që të jetë edhe këtu në Shqipëri pjesë,” deklaroi ai.

Margjeka shpjegoi vlerën e shtuar që ky program i jep studentëve në tregun e punës përmes diplomimit të dyfishtë dhe kontrollit rigoroz të njohurive nga të dyja palët. “Studenti do mësojë këtë kurrikul në anglisht dhe do ketë një diplomë të dyfishtë, duke marrë diplomën nga LSE dhe Luarasi. Provimet do vlerësohen nga pala britanike dhe ajo shqiptare dhe përfundimisht do kenë dy diploma,” përfundoi Margjeka.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb