Në kuadër të bashkëpunimit me McCain Institute, Arizona State University, universiteti “Luarasi” ka zhvilluar sesionin e radhës së trajnimit “Lidershipi i Udhëhequr nga Karakteri”. Paul Converse Johnson, trajnues lidershipi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë një bashkëbisedimi me studentët diskutoi rreth tipareve dalluese të një lideri për të fituar besimin e komunitetit të tij, siç janë, vlerat, etika dhe integriteti. Ai më tej i njohu të rinjtë me praktikat më të mira të lidershipit në Amerikë.
Shefja e Departamentit të Administrim -Biznesit në “Luarasi”, dr.shk. Aelita Mani tregon se ky program vjen për herë të parë në Shqipëri e është një ide inovatore për formimin e brezave.
“Dua të theksoj se projektet janë projekt ide të sjella nga vetë studentët. Është një program trajnimi që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, dhe në të njëjtën kohë edhe në 52 vende të botës, ku për bazë ka spikatjen e karakterit, integritetit, dhe të vlerave. Është një ide inovatore për krijimin e brezave të rinj të lidershipit nëpërmjet praktikave dhe vënieve në zbatim të projekt-ideve të tyre në funksion të komunitetit”,-tha Mani.
Studentët pjesëmarrës në këtë trajnim, të cilët vijnë nga të ndryshme të vendit, janë angazhuar vullnetarisht në komunitet me projektet e tyre personale në mbrojtje të kauzave shoqërore. Trajnimi “Lidershipi i Udhëhequr nga Karakteri” filloi në tetor të këtij viti. Në përfundim të tij, studentët do të certifikohen nga Instituti McCain në SHBA.
“Mendohet që në mars ne të fillojmë turin e ri të këtij programi trajnimi për të ndihmuar studentët të cilët kanë interes dhe duan të formohen në drejtim të lidershipit. Në përfundim të këtij kursi, studentët do të pajisen me certifikata dhe ata që do ta implementojnë suksesshëm këtë projekt do të mentorohen përgjatë gjithë vitit, në seanca komunikimi dhe mentorimi javore”, u shpreh Mani.
Ky program ka për qëllim krijimin e një kulturë të re në përgatitjen e liderëve të brezave të ardhshëm, të cilët identifikohen nga karakteri i tyre, angazhimi për të shërbyer në një kauzë më të madhe se vetja, aty ku ka më shumë nevojë. Nëpërmjet praktikave të tilla bashkëkohore, Luarasi dëshmon edhe njëherë se vazhdon të mbetet një ndër liderët e arsimit të lartë në vend duke formuar profesionistët më të mirë për të ardhmen.
(BalkanWeb)
