Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë deklarata të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, gjatë një konference për mediat, ku u pyet nëse pas zëvendëskryeministres Belinda Balluku, edhe Rama do të përballet me drejtësinë.
Në përgjigjen e tij, Berisha u shpreh se mbrojtja që kryeministri i bën Ballukut është vetëm formale dhe e diktuar nga interesat personale. Sipas tij, Rama po vepron për të mbrojtur veten, duke e konsideruar Ballukun si një pjesë të dosjeve që, sipas tij, rëndojnë mbi kryeministrin.
“Rama po mbron Ballukun në aparencë. Ai do të ishte gati ta helmonte në mesnatë po të mos kishte dosjen e vet,” deklaroi Berisha, duke shtuar se SPAK duhet të tregojë vëmendje maksimale, pasi sipas tij, kryeministri është i aftë të kryejë çdo veprim për të mbrojtur interesat personale.
Kreu i PD-së përdori gjuhë të ashpër edhe ndaj zëvendëskryeministres, duke e cilësuar Belinda Ballukun si “hajdutja më e madhe në historinë e kombit pas Ramës”. Megjithatë, Berisha shtoi se në çështjen e tunelit të Llogarasë, Balluku ka vepruar si zbatim i urdhrave të kryeministrit. “Ajo është shërbëtore e tij, vetëm ka firmosur ato që i janë thënë,” u shpreh ai.
