Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për korrupsion dhe censurë, duke e cilësuar si një nga rastet më të rënda të abuzimit me fondet publike në nivel ndërkombëtar.

Në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, Berisha u shpreh se fondet e taksapaguesve amerikanë janë përdorur për pasurimin e elitave të korruptuara, duke përfshirë edhe bashkëshorten aktuale të Edi Ramës, Linda Rama, si dhe ish-bashkëshorten e tij, Delina Fico.

Berisha akuzoi Linda Ramën për përfitime të shumta financiare nga projekte me fondacionin “Shqipëria e Hapur”, UNDP dhe organizata të tjera, duke theksuar se ajo ka marrë shuma të mëdha parash për raporte mbi qeverinë e burrit të saj, në kundërshtim me ligjet e antikorrupsionit.

Nga ana tjetër, ai e cilësoi Delina Ficon, aktualisht partneren e ministrit Bledi Çuçi, si përfituese të 10 milionë eurove nga USAID, duke pretenduar se ajo ka ndikuar në kapjen e sistemit të drejtësisë dhe ka marrë një rrogë dy herë më të madhe se ajo e ambasadorit amerikan në Shqipëri.

Sipas Berishës, ky është një skandal i paprecedentë që tregon “makutërinë e enturazhit të Edi Ramës” dhe mungesën e transparencës në menaxhimin e fondeve publike.

Deklarata e plotë:

Narkoqeveria e Edi Ramës ka vendosur censurën më të plotë, po mbulon me terrin më të zi një nga skandalet më të mëdha ndërkombëtare të rrethit të tij familjar, siç është abuzimi me miliona e miliona euro dhe dollarë të taksapaguesve amerikanë nga ish-bashkëshortja e Edi Ramës dhe bashkëshortja e tij aktuale.
Auditet e para në SHBA faktojnë se paratë e taksapaguesve amerikanë u përdorën për të pasuruar elitat e korruptuara të ekstremit të majtë në vendet e tjera të botës.
Në rast se ka një rast më klasik të abuzimit ekstrem me paratë e taksapaguesve të SHBA, në Shqipëri në krye të listës qëndrojnë dy zonja, Linda Rama, bashkëshortja aktuale e kryeministrit, e cila në dhjetëra e dhjetëra projekte të saj, me fondacionin Shqipëria e Hapur, me UNDP-në dhe të tjera, ka përfituar shuma marramendëse në kundërshtime flagrante me ligjet themelore të antikorrupsionit.
Ajo përbën një rast unik në planet, kur bashkëshortja e kryeministrit, paguhet me paratë e taksapaguesve të vendeve të tjera dhe kryesisht të SHBA për të bërë raporte për veprimtarinë e qeverisë së burrit të vet.
Ky është një rast kulmor flagrance që fakton se gjer ku arrin makutëria e enturazhit të Edi Ramës dhe se për pasurimin e tij familjar, Edi Rama nuk respekton asnjë ligj, asnjë parim kombëtar as ndërkombëtar.
Edi Rama ishte i detyruar të përjashtonte bashkëshorten e tij nga çdo lloj studimi që lidhej me qeverinë e tij.
Por është bërë e kundërta, jam unë që kohë më parë kam denoncuar faktin e vizitave, e shoqëruar nga ministra, dhe i kam denoncuar me emër dhe mbiemër, ku Linda Rama debatonte dhe gjente tema për projektet e studimit të saj në agjencitë dhe zyrat e qeverisë.
Pra, përdoreshin ato.
Aktivitet absolutisht flagrant i shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimit të fondeve. Por në hierarkinë e shpërdorimit të fondeve të taksapaguesve amerikanë dhe pasurimit të elitave të ekstremit të majtë në vende të ndryshme të botës, Shqipëria nxin sterrë edhe me figurën e lubisë numër 2, e cila quhet Delina Fico.
Delina Fico, bashkëjetuesja aktuale e ministrit Çuçi, dhe ish-bashkëjetuesja e Edi Ramës, ka marrë shuma përrallore me projekte antikushtuese dhe antiligjore nga USAID-i për pasurimin e saj dhe kapjen e sistemit të drejtësisë kryekëput nga Rama dhe enturazhi i tij.
Lubia numër 2 apo Delina Fico me këshilltarët ligjorë që kompania e saj në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, ka afruar Gjykatës së Lartë dhe sistemit të drejtësisë, ka gllabëruar nga fondet e USAID-it dhjetë milionë euro.
Dhe për vete rroga dy herë më e madhe se sa e ambasadorit të SHBA në Shqipëri.
Unë e kuptoj se ata që kanë vendosur këtë censurë të tmerrshme mbi vjedhjet, shpërdorimin dhe abuzimin e fondeve nga gratë e narkoqeverisë, do shpërndajnë lajmin se unë po merrem me gratë e tyre.
Jo, unë nuk po merrem me asgjë tjetër veçse me fondet e taksapaguesve amerikanë që janë shpërdoruar në mënyrë të tmerrshme dhe përgjegjësi direkte kanë Edi Rama, Blendi Çuçi.
Po kështu Velica. Velica me Harabelin e saj merr dhjetëra mijëra euro nga ambasada e SHBA dhe dhjetëra mijëra euro nga BE për ngjarje që nuk i bën fare.
Pra, ata të cilët i angazhojnë gratë e tyre për të vjedhur dhe shpërdoruar fondet, ata janë hajdutët më amoralë mbi tokë.
Ndaj dhe, duke dënuar censurën që po aplikohet në Shqipëri nga mediat e qeverisë, në një kohë kur Shqipëria nxin në mediat e SHBA dhe në deklaratat e zyrtarëve të lartë citohet e para, se ku kanë shkuar.
Dhe nuk po ndalem këtu se e këtij sekti është edhe Milva. Po janë shumë. Blendi Gonxhja. Janë shumë ata.
Po këta janë më pak se ato të parat.
Se edhe këta i kanë futur fëmijët. Po, po.
Pra, këtu prokurori nuk ka se është e tëra nën kontroll politik.
Sepse një prokurori e vërtetë, e bazuar dhe e varur nga ligji, me urgjencë do kishte hetuar këto akte të rënda.
Po nuk hetohen, përkundrazi këto mbrohen nga Edi Rama sikundër mbrohet çdo vjedhje e lidhur me të.
Ndaj dhe i bëj thirrje FBI-së të ndërmarrë një hetim me përparësi në Shqipëri për të nxjerrë të gjitha shpërdorimet e mëdha në nivelin më të lartë qeveritar të Shqipërisë me paratë e taksapaguesve amerikanë.
Ftoj Edi Ramën, që ka shkallmuar siç e shihni ju dhe nga mëngjesi gjer në darkë, në një llogare të pakontrolluar, flet përçart korr e mos lidh, t’u thotë shqiptarëve për këto akuza të rënda kombëtare dhe ndërkombëtare, që e nxijnë imazhin e Shqipërisë.
Ka thënë ai një fjalë të vetme për këto? Asnjë fjalë…
Garantoj qytetarët shqiptarë se një audit i plotë me ndihmën e ekspertëve më të mirë shqiptarë dhe amerikanë do bëhet lidhur me të gjitha këto abuzime dhe se përgjegjësit do marrin ndëshkimin më të merituar ligjor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb