Analisti Fatos Lubonja ka kritikuar përdorimin masiv të gazit lotsjellës gjatë protestave studentore në Tiranë, duke ngritur shqetësime për pasojat që mund të ketë ai në shëndetin e protestuesve dhe qytetarëve.
I ftuar në emisionin “Prime News24”, Lubonja u ndal te situata në sheshin “Skënderbej”, ku sipas tij është përdorur një sasi e madhe gazi lotsjellës.
“Sheshi Skënderbej i mbushur me gaz lotsjellës. Është hedhur masivisht. Efektet më të tmerrshme janë ato që veprojnë në laring, në mushkëri dhe efekti kancerogjen. Konsiderohet si armë kimike, shumë organizata të të drejtave të njeriut kanë thënë se nuk duhet të përdoret kundër civilëve. Këta janë të gjitha të këqijat, sepse mbi të gjitha janë injorantë”, deklaroi Lubonja.
Analisti shprehu shqetësimin për mënyrën se si po menaxhohen protestat dhe për pasojat e përdorimit të gazit lotsjellës ndaj turmave, ku ndodhen edhe të rinj e studentë.
