Analisti Fatos Lubonja në një intervistë për “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në News24, tha se Kryeministri Edi Rama synon të krijojë sa më shumë komisione parlamentare për të shtrirë kontrollin e tij edhe atje ku nuk mundet direkt ta bëjë.

Lubonja tha se Edi Rama tentoi që në fillim të reformës së drejtësisë që të kishte akses dhe kontroll përmes Ministrisë së Drejtësisë, por në atë kohë çështja shkoi në Venecia, pati edhe reagime ndërkombëtare, dhe nuk e arriti.

Në këtë kuadër, Lubonja tha se tashmë Edi Rama po përdor mekanizmat e Kuvendit, pra komisionet, që në thelb do të kontrollohen nga Kryeministri.

“Problemi i madh që kemi është kredibiliteti i opozitës. Janë dy aspekte kredibiliteti, një që sulmohet duke i thënë se janë si Rama, që është pjesë e sistemit të oligarkisë, dhe së dyti është ajo që shtrohet si pyetje: a ju ka blerë Rama?

Në këtë kuptim opozita është në një pozicion kontradiktor, pasi në njërën anë ajo duhet të jetë pjesë e këtyre komisioneve, por në anën tjetër kur këto komisione kontrollohen nga Edi Rama dhe i shërbejnë atij, e bëjnë opozitën fasadë. Kështu është e vështirë të gjesh balancën”, tha Lubonja.

Ai tha se e rëndësishme është që opozita të mos blihet, të mos kthehet në fasadë dhe të bëjë aksione. Lubonja tha se megjithëse SPAK ka qenë selektiv, opozita nuk mund të përdorë arsenalin e sulmeve ndaj Prokurorisë Speciale, pasi kemi procese që po hetohen si çështja e inceneratorëve apo ‘5D’.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb