Pas fitimit të Scudettos numër 4 në histori, Napoli po projekton skuadrën për sezonin e ardhshëm, për të qenë sërish kompetitiv. Të kaltrit dëshirojnë të afrojnë sulmuesin zviceran Dan Ndoye. Bologna nuk dëshiron ta shesë dhe po përpiqet ta mbajë me një rritje të pagës. Administratori Fenucci ka konfirmuar se do ta mbajnë, përveç nëse vjen një ofertë shumë e mirë. Ndoye nuk ka kërkuar largimin, por nuk do të thoshte jo një kalimi te Napoli, ku do të bashkohej me Noa Lang në sulm.
Nëse nuk arrihet marrëveshja, Napoli ka alternativën Jack Grealish, i cili është në shitje nga Manchester City për rreth 45 milionë euro. Grealish nuk u përfshi në Botërorin e Klubeve, që tregon largimin e tij të mundshëm, por nuk ka ende oferta konkrete. Napoli mund të ofrojë huazim, që do ishte mirë edhe për klubin anglez, pasi Guardiola nuk e përdor.
Problemi është paga e lartë e Grealish, rreth 18 milionë euro në vit, që e bën marrëveshjen të vështirë, por jo të pamundur. Grealish, 29 vjeç, mund të ndjekë shembullin e De Bruyne dhe të pranojë sfidën për të luajtur në Napoli.
Lajme të reja edhe nga telenovela e kësaj vere Victor Osimhen. Një skuadër e re është futur në garë. Bëhet fjalë për Liverpoolin. Napoli kërkon 75 milionë euro për sulmuesin nigerian, dhe marrëveshja me Galatasaray-in, që dukej e mbyllur, është bllokuar papritmas. Kjo situatë po shfrytëzohet nga Liverpool-i.
Liverpool dhe Napoli kanë bisedime për një shkëmbim lojtarësh, ku uruguaiani Darwin Nunez mund të përfshihet, mjaft i pëlqyer nga De Laurentis.
Ndërkohë në pritje të vendimit për Osimhen, Napoli ka mbyllur marrëveshjen me Udinesen p♪7r afrimin e Lucca, për një vlerë rreth 35 milionë euro, dhe do të vijë nga Udinese me huazim prej 9 milionë euro plus detyrim blerjeje prej 26 milionë euro.
