Nëpërmjet një statusi në “Facebook” Luçiano Boçi i është përgjigjur deklaratave të bëra nga Arbjan Mazniku, i cili tha se ‘opozita kishte kërkuar që dëgjesat të zhvillohen vetëm në Kuvend’.
Boçi ka hedhur poshtë këto deklarata duke thënë se janë të pavërteta dhe se deputetët e PD në Komision kërkuan dëgjesa të hapura për publikun, në çdo qark dhe bashki.
Reagimi i plotë:
U habita tek lexova gënjeshtrën perlë të shkruar nga z. Mazniku, sipas së cilës PD ka kërkuar dëgjesa vetëm në Kuvend dhe jo në terren.
Nuk e kuptoj se si mund të arrihet deri këtu, kur mbledhja ishte e transmetuar dhe online.
E vërteta është se deputetët e PD në komision kërkuan dëgjesa të hapura në çdo Qark dhe Bashki specike.
E theksoj TË HAPURA për publikun me pjesmarrje të lirë, dhe jo TË MBYLLURA në zyrat e Bashkive vetëm me zyrtarë bashkiakë siç insistuan dhe kishin projektuar deputetët e PS.
Madje për ne prevalojnë dëgjesat me komunitetet sipas kërkesave që ato kanë paraqitur pranë nesh, ndërkohë që mazhoranca nuk pasqyroi këtë vullnet.
Këto janë ‘terreni’ i vërtetë i PD e jo zyrat e Bashkive të PS.
Njëherazi kërkuam paralelisht thirrjen në dëgjesa në Komision të gjithë kryetarëve e përfaqësuesve politikë në Këshillat Bashkiakë, të cilat duhet të hapen me dëgjesën me Ministrin e pushtetit lokal.
Kundërshtia e deputetëve të PD ishte për drekat e darkat e planifikuara nga PS pas përfundimit të paradave-dëgjesa në zyrat e Bashkive e qarqeve.
Kjo është e vërteta, e cila e di mirë që gënjeshtra vrapon më shpejt me këmbët e saj të shkurtra, por kush e do të vërtetën le të dëgjojë mbledhjen të regjistruar në faqen e Kuvendit.
