Deputeti i PD, Kreshnik Çollaku, deklaroi në News 24 se lufta e brendshme ka masakruar Partinë Demokratike.  Ai tha se vetëm Sali Berisha e ka dashur realisht bashkimin dhe kërkoi një “Foltore të madhe” për të gjithë demokratët.

Çollaku theksoi se zgjedhjet e 11 majit ishin farsë dhe dështimi ishte i parashikuar. Sipas tij, PD nuk ka të ardhme pa një analizë të thellë dhe ndryshim rrënjësor.

Deputeti i PD Kreshnik Çollaku: Më 11 maj dështuam për shumë faktorë. Ka farsë elektorale, ka industri të vjedhjes së votës për të katërtën herë rresht. Ka farsë elektorale, por duhen mbajtur edhe përgjegjësi. PD duhet ta ndalë këtë industri të vjedhjes së zgjedhjeve. Për herë të katërt të vidhen zgjedhjet, do të thotë se ka problem të madh edhe brenda konceptimit të opozitës. Duhet një foltore e madhe e gjithë demokratëve. Duhet të shërohet sëmundja, duhet të ndalen egot dhe të kihet vëmendja tek kriza. Më 11 maj u bë një kompromis, por nuk kishte bashkim.

 

Vetëm Berisha e donte bashkimin, askush tjetër nuk e donte, të gjithë përpiqeshin të mbanin pozicionin e vet. Lufta e brendshme e ka masakruar PD-në. Në primare kishte dy lista votimi. Primaret i dolën nga kontrolli Berishës. Shumë demokratë u lanë jashtë primareve. Humbja ishte parashikuar. Duhet bërë analizë, sepse nuk shoh të ardhme të Partisë Demokratike. Nëse e quajmë farsë elektorale, mund të bllokohen mandatet, grupi parlamentar duhet të mbajë qëndrim. Kodi Zgjedhor i fal Ramës 12-13 mandate në tavolinë. Kodi Zgjedhor ishte gabim i madh i PD-së. Listat e hapura janë shkatërrim për partitë. Unë jam për sistem maxhoritar. Berisha vuri nenin në statut që kryetari duhet të ikë, edhe nga inati me kundërshtarin, siç e kishin inatin edhe kundërshtarët ndaj Berishës dhe u quajt ‘neni Basha’. Unë mendoj se Berisha do ta zgjidhë vetë këtë problemin e (mos)dorëheqjes. Berisha sjell 300-400 mijë vota në çdo kohë. Por këto vota nuk çojnë në pushtet. Por, edhe pa Berishën, PD nuk bëhet më mirë. Kush mendon kështu, ka gënjyer veten ose i ke shërbyer një kundërshtari të Berishës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: