Festivali i famshëm “la Tomatina” ishte edhe një herë një përvojë unike për mijëra pjesëmarrës që hodhën domate të pjekura në rrugët e qytetit të Bunol, në Spanjën lindore.

Skena ishte mbresëlënëse, pasi afërsisht 20,000 pjesëmarrës krijuan një “lum të kuq” të madh, duke hedhur 120 tonë domate.

Muzika dhe të qeshurat i dhanë tonin këtij momenti kaotik, por energjik, ndërsa pjesëmarrësit ishin të mbuluar me domate.

Organizatorët, të veshur me bluza jeshile, hapën rrugën për kamionët që transportonin… materialet e betejës, ndërsa ndërtesat ishin të mbuluara me rroba mbrojtëse.

Festimi i këtij viti ishte i veçantë, pasi Buñol pësoi përmbytje të mëdha në tetor 2024. Për këtë arsye, festivali kishte sloganin “terapi me domate”, duke dhënë ndjesinë se festimi mund të ketë vlerë terapeutike për qytetin dhe banorët e tij.

Festivali, i cili këtë vit feston 80-vjetorin e luftës së parë me domate në vitin 1945, është bërë një ngjarje ndërkombëtare, duke tërhequr turistë dhe pjesëmarrës nga e gjithë bota. Vetëm dy herë në vitet e fundit, për shkak të pandemisë, festivali është anuluar. Udhëzimi i vetëm për pjesëmarrësit është që ta shtypin domaten para se ta hedhin për të zvogëluar ndikimin. Megjithatë, disa preferojnë të mbajnë syze mbrojtëse dhe tapa veshësh për siguri shtesë. Organizatorët sigurojnë se domatet e përdorura në festival janë rritur posaçërisht për të dhe nuk janë të ngrënshme.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: