Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një konferencë të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Uashington, ka folur në lidhje me armët të cilat SHBA do të dërgojë në Ukrainë.

Bëhet fjalë për sisteme raketore të cilat kanë aftësinë të qëllojnë një objektiv dhjetëra kilomentra larg, dhe për të cilët Kremlini ka reaguar duke u shprehur se kjo është një lëvizje e cila përfshin SHBA-në në luftë.

Blinken ndërkohë ka sqaruar se SHBA ka marrë garanci nga Ukraina se të tilla armatime nuk do të përdoren për të goditur objektiva në territorin e shtetit rus.

Sekretari Blinken ka deklaruar gjithashtu se lufta në Ukrainë mund të përfundonte nesër, nëse Rusia vendos t’i japë fund agresionit të saj.

“Por ne nuk shohim asnjë shenjë për këtë tani”, shtoi ai.

Në vend të kësaj, Blinken tha se ka të ngjarë të ketë ende shumë muaj konflikt, ndërkohë që Rusia vazhdon sulmin e saj në lindje të Ukrainës.

Ndërkohë, Jens Stoltenberg, tha se ai do të thërrasë një takim në Bruksel në ditët në vijim me zyrtarë të lartë nga Suedia, Finlanda dhe Turqia për të diskutuar kundërshtimin e Turqisë ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në aleancë.

“Unë jam në kontakt të ngushtë me Presidentin Erdogan të Turqisë dhe me liderët e Finlandës dhe Suedisë”, tha ai.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb