Është përmbyllur evakuimi i përkohshëm i kontingjentit italian të angazhuar në NATO në Bagdad, në kuadër të misionit të aleancës në Irak.
Operacioni përfshinte të gjithë ushtarët italianë që merrnin pjesë në Misionin e NATO-s në Irak, një program që synon mbështetjen dhe zhvillimin e institucioneve lokale të sigurisë.
Sipas deklaratave të mëparshme të ministrit italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto, evakuimi ishte një masë paraprake dhe e përkohshme, e ndërmarrë në funksion të situatës së sigurisë në rajon.
Megjithatë, autoritetet italiane kanë bërë të ditur se personeli që është përgjegjës për mbrojtjen e Ambasadës Italiane në Bagdad do të vijojë të qëndrojë në kryeqytetin irakian, duke garantuar funksionimin dhe sigurinë e përfaqësisë diplomatike.
