Gjenerali Dedë Prenga, i ftuar në studion e News24, analizoi zhvillimet më të fundit në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, që është përshkallëzuar prej rreth 8 ditësh.
Sipas tij, tensionet mes dy shteteve kanë qenë të pranishme prej kohësh, por momenti kyç që i shtyu drejt përplasjes direkte ishte sulmi i Hamasit ndaj Izraelit në tetor 2023.
“20 muajt e fundit kanë qenë intensivë për të përgatitur këtë situatë,” deklaroi Prenga, duke theksuar se të dyja palët po veprojnë në fushat ku ndihen më të forta. Sipas tij, përparësia teknologjike e Izraelit në komponentin ajror ka qenë thelbësore në këtë përballje.
Gjenerali nënvizoi se sulmet ajrore të Izraelit ndaj mbi 100 objektivave ushtarake iraniane dhe pikave kyçe të zinxhirit komandues janë realizuar me një precizion të jashtëzakonshëm. “Izraeli tregoi superioritet të padiskutueshëm ajror, duke arritur sukses taktik që në ditën e parë të përballjes,” tha ai.
