NGA DORJANA BEZAT*

TIRANË- Altin Çoku është një prej të plagosurve në masakrën e ndodhur në qendër të Mamurrasit më 23 shtator. I sapo dalë nga një operacion i vështirë në të cilën 30-vjeçarit i hoqën shpretkën e dëmtuar nga plumbi ai shprehet i pasigurt për jetën në vijimësi. Për të është e pakonceptueshme që në mes të qytetit të dalin njerëz me armë të vrasin të pafajshëm dhe ministri i Brendshëm të mos thotë asnjë fjalë.
Altin, çfarë mban mend nga momenti kur mbete i plagosur?
Ishte një ditë e zakonshme si gjithë të tjerat. Unë banoj në fshat, dhe të mërkurën kisha shkuar në Mamurras për të shoqëruar nenën e cila do të merrte pensionin. Pasi i mbaruam ato punët që kishim për të bërë në qytet qëndruam në një rrugë afër bashkisë, ku po prisnim vëllanë të vinte të na merrte me makinë dhe të na çonte në fshat. Më pas gjithçka ndodhi shumë shpejt. Nuk e kuptova si ndodhi vetëm kur e pashë veten mes plumbave që fluturonin në ajër. Ishte një luftë e vërtetë. Një turmë njerëzish që përpiqeshin t’ia mbathnin. Mes tyre isha dhe unë me mamin. Nuk patëm mundësi të largoheshim dhe tentuam të futemi në një derë që ishte aty, por ajo nuk u hap.

Në këto momente në shpinë ndjeva një dhimbje sikur më goditi dikush me grusht. Pak minuta më vonë u mbusha me gjak dhe e kuptova se më kishin qëlluar. Nuk mundesha të ecja. Mbaj mend vetëm zërin e mamit që kërkonte ndihmë te kalimtarët e rastit që të më çonte në spital. Më ka marrë një djalë që nuk e njoh në krah dhe më ka futur në makinë dhe më ka çuar në Spitalin e Mamurrasit. Më vonë më sollën në Tiranë. Më pas nuk mbaj mend gjë, sepse jam futur direkt te salla e operacionit.

Si ndihesh tani?
Fizikisht jam duke u normalizuar. Jam operuar dhe kam hequr shpretkën pasi më ishte dëmtuar nga plumbi. Ndërsa psikologjikisht jam shumë i tronditur. Nuk kam pasur asnjëherë probleme në jetën time, jam njeri familjar. Ndihem shumë i pasigurt, sepse jam plagosur në qendër të qytetit pa pasur asnjë faj. Ku është policia kur dalin si pa të keq disa njerëz me armë në dorë dhe bëjnë një luftë në mes të qytetit? Kjo është e pafalshme! Unë edhe mund të kisha vdekur aty, për faj të policisë, e cila është e paaftë të vendosë rend dhe qetësi. Megjithëse kanë kaluar 2 ditë nga ngjarja, ministri i Brendshëm nuk ka thënë asnjë fjalë për ngjarjen. Nuk është interesuar aspak për gjendjen time. Besoj se ai ka detyrim të mbrojë jetën e qytetarëve si ministër i Brendshëm.
I njihje palët në konflikt?
Jo, asnjërin. Unë jetoj në fshat, merrem me blegtori për të fituar bukën e gojës. Nuk kam pasur asnjë konflikt në jetën time me askënd.

Dave Çoku: Kam parë tmerrin me sy
Të vështira ato momente kanë qenë edhe për nënën e Altinin, Davën e cila tregon se pasi djali i saj mbeti i plagosur, asnjë nga personat në vendngjarje madje edhe efektivët e policisë nuk e ndihmuan. “Të ishte për këtë shtet djali im kishte vdekur tani”, thotë ajo. Me një makinë të rastit ajo e ka çuar Altinin në spital dhe po me një automjet privat e ka sjellë nga Mamurrasi në Spitalin e Traumës në Tiranë. “Kam parë tmerrin me sy, kur e pashë djalin të mbuluar me gjak dhe asnjë nuk vinte të më ndihmonte. Hipa në një makinë dhe nga dritarja thërrisja” “mos ma lini djalin të vdesë në rrugë” që makinat të më hapnin rrugën. Kam 5 fëmijë dhe asnjë problem nuk më kanë hapur. Të ma marrë plumbi kot është shumë keq”, tha ajo.

Gjon Çoku: Dhurova gjak me pranga në duar
Plagosja e Altin Çokut nuk ishte problem vetëm i familjes së tij. Menjëherë pas mbërritjes në Tiranë policia ka shoqëruar djalin e madh të familjes Gjon Çoku dhe e ka mbajtur 8 orë në komisariat. “Më pyesnin për personat që ishin përfshirë në konflikt, por unë nuk i njihja. Por, policët nuk më besonin për këtë gjë. E kuptoj që ata bënin detyrën e tyre mirëpo mund të merrnin një informacion nga polici i zonës dhe jo të më trajtonin si një kriminel. Unë isha i shqetësuar për shëndetin e vëllait të plagosur ndërsa policët talleshin me këtë fakt. Kur vëllai hyri në sallën e operacionit policët më kanë sjellë me pranga në duar për të dhënë gjak”, ka thënë për “GSH”, Gjon Çoku.

NGJARJA NE MAMURRAS
TË ARRESTUAR
1. Enrik (Elton) Mamli, 28 vjeç;
2. Taulant Sami Bebri (Arjan Sami Tafa),26 vjeç;
3. Dorjan Ndue Mamli, 31 vjeç
TË SHPALLUR NË KËRKIM
1. Tom Mamli, 33 vjeç;
2. Paulin (Roland) Mamli, 29 vjeç;
3. Gentjan Elezi(Tafa), 30 vjeç.
TË PLAGOSUR
1. Altin Llesh Çoku, 30 vjeç;
2. Idriz Elez Tafa, 59 vjeç;
3. Taulant Sami Bebri (Arjan Tafa), 26 vjeç; Kurbin.
4. Besim Sali Xhetani, 68 vjeç;

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: