Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, në një komunikim me qytetarët, ka folur për situatën në Ukrainë. Ai ka thënë se edhe Profetët janë sprovuar gjatë rrugëtimit të tyre.

Spahiu theksoi se Kurani përmban hadithe të tëra me në fokus paqen. Ai nënvizoi se i lutet Zotit të vendoset paqja kudo në botë dhe konflikti në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt.

“Paqja është e vetmja alternativë! Nisur nga situata e ditëve të fundit që na ka prekur të gjithëve doja t’ia kushtoja komunikimit të sotëm me ju, paqes. Islami është fe e paqes dhe dhembshurisë. Profetët kanë qenë njerëzit më të përndjekur të njerëzimit. Kujtojini Musain, Lutin, Isain, për të ardhur te profeti më i fundit të zotit Muhamedi a.s. Cila ka qenë arsyeja e persekutimit të tyre? besimi. Profetët kanë grada të mëdha te Zoti, ndaj edhe sporvat e tyre kanë qenë të mëdha. Sprovë nuk është vetëm vuajtja, por suksesi, triumfi, ta menaxhosh atë nuk është e lehtë. Profetët edhe kur kanë qenë triumfues janë sjellë butësisht. Nuk ka profet që ka qenë shkaktar dhune. Profeti ynë i dashur, Muhamed, ka kaluar sprova të mëdha. U persekutua, u largua nga vendlindja, por edhe triumfoi. Është shembull unikal i historisë së njerëzimit. Kur një person dëbohet nga vendlindja dhe kur kthehet futet në qytet me një butësi madhështore. Ky ishte shpirti që ai përfaqësonte. Islami stimulon vetëm paqen. Muhamedi a.l.s na ka thënë të synojmë paqen. Paqja dhe në rastet kur kushtet e marrëveshjes mund të duken jo të favorshme, frytet e saj janë më të ëmbla se sa lufta.

Progresi i njerëzimit arrihet nëpërmjet paqes. Nuk ka superioritet njerëzor. Profeti thotë: Superioriteti është në devotshmëri dhe ajo është më e lartë te njerëzit zemërbutë dhe paqësorë. Dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd, kjo duhet të jetë motoja e njerëzimit. Allahu thotë se po të donte Zoti yt do të besonte gjithkush që banon në Tokë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për dëmet e shkaktuara mes 2 luftërave Botërore. Lufta ka pasoja shkatërruese me ndikim të gjerë. Të shpëtojmë veten nga një shkatërrim i tij. Të shpëtojmë brezat e ardhshëm. Luftrat janë të llahtarshme. Cili është kontributi që mund të japim? Të mos duartrokasim zullumqarët kudo që janë ato. Zoti në Kuran përsërit shpesh: Edhe paqja është më e mira. Dje pata një komunikim me myftiun e Ukrainës. U solidarizova me të, besimtarët dhe qytetarët e Ukrainës, në emrin tim personal e të gjithë juve. Është e vështirë të shohim perceptimin e panikun që përjeton një luftë. Të mos harrojmë kur disa vite më parë, motrat dhe vëllezërit tonë në Kosovë u masakruan nga pushtuesit. I lutem Zotit që Bota të gjej paqe. I lutem Zotit për kombin tonë që të mos të na sprovojë me sfida të tilla të pa përballueshme”, tha Spahiu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: