“Ne jemi ende të hapur për negociata me Ukrainën, por topi nuk është në fushën tonë. Deri më tani, Kievi nuk ka demonstruar aftësinë e tij për të negociuar.”

Kështu është shprehur Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, I cili më pas ka shtuar: “Regjimi Zelensky ka demonstruar mungesë vullneti politik për paqe dhe ngurrim për të braktisur vazhdimin e luftës, i mbështetur nga qarqet rusofobike në disa vende të Bashkimit Evropian, veçanërisht Franca dhe Gjermania, si dhe në Britaninë e Madhe”.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Sekretarit të Shtetit në SHBA, Marco Rubio, i cili i tha ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov se është koha për t’i dhënë fund “luftës së pakuptimtë” në Ukrainë.

Rubio, në një intervistë të fundit, e quajti javën aktuale “vendimtare” për të kuptuar synimet e Rusisë dhe Ukrainës, dhe që Shtetet e Bashkuara të vendosin nëse do të vazhdojnë apo jo përpjekjet për paqe.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quan propozimin e Putinit për armëpushim “një përpjekje për manipulim”. Arsyeja është se “të gjithë duhet të presin deri më 8 maj dhe vetëm atëherë” do të ketë një “armëpushim për të siguruar heshtje” gjatë paradës së 9 majit në Sheshin e Kuq të Moskës, tha ai në fjalimin e tij të mbrëmjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb