“Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka të ngjarë të njoftojë sanksione të reja kundër Rusisë këtë javë, pasi akuzoi publikisht homologun e tij rus, Vladimir Putin, për sulmet masive me raketa të Moskës kundër Ukrainës në ditët e fundit”.

Kështu raporton gazeta amerikane “Wall Street Journal”, duke cituar burime pranë Shtëpisë së Bardhë.

Sipas raportimeve, sanksionet e reja ndoshta nuk do të ndikojnë në sektorin bankar rus. Shtëpia e Bardhë thuhet se po shqyrton mundësi të tjera që synojnë të bindin Putinin të bëjë lëshime në frontin e negociatave, duke filluar me një armëpushim 30-ditor.

Sipas burimeve të cituara nga WSJ, dështimi i përpjekjeve diplomatike të bëra deri më tani po e lodh Trumpin, i cili mund t’i “braktisë ato” nëse një përpjekje e fundit nuk ka efektet e dëshiruara.

“Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me Presidentin rus Vladimir Putin, por diçka i ndodhi atij. Ai është çmendur plotësisht!”, shkroi Trump dje në platformën sociale Truth.

“Ai po vret njerëz pa nevojë, dhe nuk po flas vetëm për ushtarë. Raketa dhe dronë po lëshohen në qytete në Ukrainë pa asnjë arsye”, shkroi shefi i Shtëpisë së Bardhë.

“Gjithmonë kam thënë se (Putini) dëshiron të gjithë Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj, dhe ndoshta kjo është e vërtetë, por nëse ai e bën këtë, do të jetë një rënie e Rusisë”, paralajmëroi Trump, i cili gjithashtu sulmoi Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky i cili fajësoi ‘heshtjen’ e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera për sulmet ruse.

“Presidenti Zelensky nuk po i bën asnjë nder vendit të tij duke folur në këtë mënyrë”, shkroi Trump. “Çdo gjë që del nga goja e tij shkakton probleme. Nuk më pëlqen dhe më mirë të ndalet”.

Trump përfundoi duke shkruar se “kjo (…) nuk është lufta e Trump. Unë thjesht po përpiqem të ndihmoj në shuarjen e këtyre zjarreve të mëdha e të shëmtuara që lindin nga paaftësia dhe urrejtja e madhe”.

Donald Trump lëshoi kritika të ashpra ndaj Putinit, duke folur edhe për gazetarët në Morristoën, New Jersey, përpara se të hipte në Air Force One për t’u kthyer në Uashington. Trump tha se nuk ishte “aspak i kënaqur” me sjelljen e Kremlinit: “Nuk më pëlqen aspak ajo që po bën Putini. Ai po vret shumë njerëz dhe nuk e di çfarë i ka ndodhur. E njoh prej kohësh, gjithmonë kemi shkuar mirë. Por tani ai po lëshon raketa në qytete, duke vrarë civilë dhe kjo nuk më pëlqen. Po flasim dhe ai po bombardon Kievin dhe qytete të tjera. Kjo nuk më pëlqen aspak”, shtoi ai.

Trump tha se ishte “i befasuar” nga ajo që po ndodhte në Ukrainë dhe la të kuptohej se sanksione të reja të SHBA-së kundër Moskës ishin të mundshme: “Do të shohim se çfarë do të bëj. Nuk më pëlqen ajo që po bën ai. Aspak. Është sikur ka ndryshuar”.

Natën e së shtunës dhe mëngjesin e të dielës, Rusia nisi një nga sulmet më masive me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës, duke shkaktuar të paktën një duzinë vdekjesh dhe dhjetëra të plagosur.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb