Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me gjykimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Hagë, duke e mbrojtur atë dhe veprën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rama kritikon ashpër edhe qëndrimet e disa shqiptareve, që i cilëson “tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike” të cilet siç shkruan, e shohin Thaçin si armik politik dhe shprehin dëshirën që ai të mos dalë më kurrë nga burgu.
“A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga objekti për të cilin u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!
Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, e urojnë të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, shkruan Rama.
Reagimi i kryeministrit të Shqipërisë vjen ndërsa ish-presidenti i Kosovës përballet me akuzat e drejtësisë ndërkombëtare për veprimtari të supozuara kriminale gjatë periudhës së luftës, duke rikthyer vëmendjen mbi rolin e tij historik dhe debatet për drejtësinë ndërkombëtare.
