Një përplasje e ashpër në skenën politike amerikane, e cila nisi me deklaratat e Donald Trump-it në Zyrën Ovale dhe u pasua nga reagimet e Elon Musk përmes postimeve në platformën X, ndërsa presidenti amerikan iu kundërpërgjigj në rrjetin Truth.

“Nuk e di nëse do të kemi më një marrëdhënie të mirë”, deklaroi Trump gjatë takimit me kancelarin gjerman Friedrich Merz, duke iu përgjigjur një pyetje mbi kritikat e Musk ndaj projektligjit për shkurtimin e shpenzimeve dhe buxhetit të propozuar nga presidenti. Musk reagoi në X duke e akuzuar Trump-in për mosmirënjohje: “Pa mua, do t’i kishte humbur zgjedhjet”.

Pas kësaj përplasjeje, aksionet e Tesla-s ranë në Wall Street me mbi 15%, ndërsa ato të Trump Media and Technology Group Corp humbën 7,3% të vlerës. Më vonë, Musk publikoi në X një sondazh ku pyeste: “A është koha të krijohet një parti e re politike në SHBA që të përfaqësojë vërtet 80% të njerëzve që janë në qendër?”. Vetëm pak minuta më pas, rreth 260 mijë vetë kishin votuar dhe 84% e tyre ishin përgjigjur “po”.

Përplasja vijoi në rrjetin Truth, ku Trump shkroi: “Elon po ‘shteronte’. I kërkova të largohej, i hoqa mandatin për makinat elektrike që detyronte të gjithë të blinin makina që askush nuk i donte (dhe ai e dinte prej muajsh që do ta bëja!), dhe ai thjesht çmendet”. Shtoi gjithashtu: “Mënyra më e thjeshtë për të kursyer miliarda e miliarda dollarë nga buxheti ynë është të ndërpriten subvencionet dhe kontratat qeveritare për Elon-in. Më ka habitur gjithmonë që Biden nuk e bëri!”

Më pas, Musk kaloi në tone edhe më të rënda, duke paralajmëruar publikimin e asaj që e quajti “bomba më e madhe”: “Trump është në dosjet e Epstein. Ky është arsyeja e vërtetë pse ato nuk janë bërë publike. E vërteta do të dalë në dritë”.

Screenshot 8
Screenshot 8

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb