Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj paralajmëroi nga Vlora efektivët e policisë se për vitin që vjen lufta kundër kanabisit do të bëhet në dy fronte. Gjatë fjalës së tij, numri një i Ministrisë së Brendshme tha se kjo gjë do të bëhet duke u goditur nëpërmjet hetimeve proaktive.
Sipas Lleshajt puna e bërë për kultivimin e kanabisit e ka plotësuar misionin duke goditur fortë kultivimin e kanabisit në qytet duke provuar rezultate të rëndësishme. Kemi patur tentativa teksa e rëndësishme është që në të gjithë vendit lufta ka arritur rezultate të konsiderueshme.
Ministri ka folur gjithashtu për Operacionin Forca e Ligjit, e cila sipas tij kujdo që e gënjenë mendja për të bërë pasuri të paligjshme t’i marri mirë masat pasi situata për të tillë individë do të përkeqësohet dhe të gjithë ata që kanë bërë pasuri të paligjshme të tilla pasuri do të sekuestrohen dhe do të vendosen në funksion të publikut.
“Ne jemi sot në Vlorë për të dialoguar në një analizë lidhur me masat dhe rezultatet e arritura nga Drejtoria Vendore e Policisë në luftën kundër tentativave për kultivimin e kanabisit në qarkun e Vlorës. Rezulton se puna e bërë nga drejtoria vendore e ka plotësuar misionin, pra DVP Vlorë ka arritur të godasë fort fenomenin e kultivimit të kanabisit në gjithë qarkun e Vlorës duke shënuar rezultate të rëndësishme. Krahas rezultateve ka pasur dhe mangësi, të cilat ne i evidentuam dhe për të cilat janë marrë dhe do të merren masa, për ato raste kur ka pasur mangësi, për arsye se kemi pasur tentativa të shkëputura. Megjithatë e rëndësishme për publikun është të thuhet se në të gjithë vendin, lufta kundër kanabisit këtë vit ka shënuar rezultate shumë inkurajuese. Kjo vërehet në sasinë e kanabisit të kapur, të sekuestruar, nga autoritetet e vendeve fqinje, vende të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten destinacion i kësaj veprimtarie të paligjshme. Duhet thënë se angazhimi ynë për luftën kundër kanabisit do të vijojë të thellohet, megjithëse thashë që rezultatet janë shumë të mëdha deri tani.
Bashkë me përfundimin e operacionit për vitin 2020, fillon tani operacioni i Policisë në gjithë vendin për të goditur tentativat për vitin 2021. Synohet që këtë vit qasja të ndryshojë, të goditet në një mënyrë tjetër, përmes hetimeve proaktive. Përmes kërkimit dhe gjetjes së rrjeteve të furnizimit me fara dhe me elementë të tjerë, me qëllim që brenda muajit mars, ne të kemi mundësi të bëjmë një bilanc të angazhimit të Policisë së Shtetit kundër tentativave të kanabisit. Ne jemi të bindur se lufta kundër kanabisit është në thelb një luftë kundër krimit në tërësi në vend. Për arsye se kanabisi dhe veprimtari të tjera të bashkëlidhura me të, janë gjeneratori kryesor i të gjithë veprimtarisë, ose një pjese të madhe të veprimtarisë kriminale në vend.
Goditja e fortë e kohëve të fundit, qoftë kundër kanabisit, qoftë kundër pasurive të gjeneruara nga veprimtaritë kriminale ka sjellë si rezultat që e gjithë tabloja e kriminalitetit në vend të pësojë një tkurrje të ndjeshme. Të gjitha figurat e krimit, pra të gjitha veprat kriminale të regjistruara për vitin 2020, shënojnë një reduktim të ndjeshëm edhe krahasuar me vitin 2019. Sigurisht krahasuar me vitet e mëparshme janë akoma më ulët. Ndaj ne do ta vazhdojmë këtë betejë, në dy fronte të rëndësishme: luftën kundër kanabisit dhe goditjen e pasurive kriminale të gjeneruara prej tij dhe prej veprimtarive të tjera. Të dy këto, besoj të dy këto fronte, do të na garantojnë që ne t’i mbajmë parametrat e sigurisë në vend në nivel optimal dhe t’i përmirësojmë përherë në të ardhmen.”, tha Lleshaj, raporton për ‘BalkanWeb’ gazetari Enrik Mehmeti.
Lleshaj foli edhe për akuzat e opozitës për ndryshim të vendndodhjes së qendrave të votimit dhe listave të zgjedhjes teksa i ka quajtur të tilla akuza si gënjeshtra duke deklaruar se në Vlorë nuk ka asnjë rastë ku të jetë ndryshuar vendndodhja e votimit për të tillë persona. Qendra e Votimit sipas Lleshajt ndryshohen vetëm me dëshirën e qytetarve dhe me vullnetin e tyre.
Mes të tjerave, ministri u ndal dhe tek të zhdukurit në Vlorë teksa i cilëson të pakta rastet që në qytet ka patur persona që nuk iu dihet vendndodhja. Ai gjithashtu hedh poshtë shifrat se janë 23 persona të zhdukur të cilët kanë bërë familjarët denoncime të tyre në komisariat dje nga këto janë referuar 4 në prokurori.
PYETJE
Pyetje: Z. Lleshaj ju përmendët edhe mungesë performance sa i përket Komisariatit të Vlorës, arritët të vijoni me shkarkimin, më saktë, kujtojmë zëvendësimin e shefit të Komisariatit të Vlorës dhe atij të Himarës, a do të thotë kjo që kemi një përfshirje të mundshme në veprimtari kriminale?
Ministri Lleshaj: Nuk flasim për veprimtari kriminale, flasim për përmbushje ose mospërmbushje të detyrës. Sigurisht që mangësitë e evidentuara në aspekte të veçanta të punës këtu kanë sjellë edhe ndërhyrje në fushën e personelit, në Vlorë edhe në qarqe të tjera.
Ne jemi absolutisht të qartë këtu, vlerësimi i performancës është kriteri kyç për secilin. Puna e kujtdo matet me rezultatet në terren. Ne nuk mund të mbajmë paralelisht edhe punonjës policie që nuk bëjnë detyrën edhe veprimtari kriminale që zhvillohen në terren, ose njëra, ose tjetra. Ose krimi do të tkurret dhe Policia do të jetë detyrën e vet, ose e kundërta. Ai që nuk arrin të përballet duhet të tërhiqet, patjetër.
Pyetje: Megjithatë ju thatë se do të ketë masa ndaj këtyre personave që nuk e kanë përmbushur detyrën në punë. Çfarë i referoheni me masa?
Ministri Lleshaj: Masat janë marrë dhe vazhdojnë të merren në vijimësi ndaj të gjithë atyre punonjësve të Policisë që nuk arrijnë dot të performojnë në nivelin e kërkuar.
Pyetje: Po përsa i përket pasurive të ngritura nga krimi?
Ministri Lleshaj: Pasuritë e ngritura nga krimi, janë objekt i madh i punës së Policisë së Shtetit. Ju jeni të gjithë dëshmitarë të funksionimit të “Operacionit Forca e Ligjit”, i cili synon pikërisht goditjen e pasurive të gjeneruara nga krimi. Duam të përcjellim një mesazh të madh tek të gjithë ata që janë futur, apo tentojnë të futen në rrugën e krimit, duke thënë se çfarëdo që të bëhet do të vijë një ditë që pasuria do të merret. Çdo aktivitet kriminal, çdo njeri qē joshet, apo gabohet dhe futet në rrugën e krimit, duhet të jetë i qartë që pasuritë që mund të gjenerohen, vjen një ditë që merren.
Dhe rezultatet e deritanishme të “Operacionit Forca e Ligjit” flasin për një numër shumë të madh, qindra e qindra pasurish, të rëndësishme, pasurish të paluajtshme, biznese e të tjera me radhë që janë sekuestruar dhe janë në rrugën e konfiskimit dhe vënies në shërbim të publikut, sepse do vihen në dispozicion të publikut.
Pyetje: Nëse flasim për të zhdukurit në Vlorë, është një problematikë, mungon, çalon bashkëpunimi me Prokurorinë apo nuk është forca e Policisë? I referohem rastit të fundit të Lepenicës, ende i zhdukuri pa asnjë gjurmë?
Ministri Lleshaj: Unë nuk njoh një fenomen në Vlorë, ka patur raste në Vlorë dhe në vende të tjera, të cilët Policia ka hapur proces penal të hetimit…
Pyetje: … vetëm 4 nga 22, nga 2016-ta e në vijim, vetëm 4 raste janë referuar në prokurori nga 22 të zhdukur?
Ministri Lleshaj: Kush e thotë që janë 22 të zhdukur?!
Gazetarja: Kështu janë të paktën publikimet e familjarëve.
Ministri Lleshaj: Legjendat?! Jo jo, duhet të flisni për referimin. Në qoftë se janë referuar 4, janë katër të zhdukur, jo 22.
Gazetarja: Jo, janë referuar në polici 22 dhe nga këto, në prokurori janë 4.
Ministri Lleshaj: Jo, kjo e dhënë nuk është e jona, megjithatë duhet të bëjmë një dallim mes legjendës dhe realitetit.
Gazetarja: I referohemi nga 2016-ta e në vijim, jo për sot.
Ministri Lleshaj: Sigurisht që Policia përgjigjet për rastet, të cilat referohen pranë zyrave të saj. Ne evidenca nuk na tregon që ka raste kaq të shumta, por ka më shumë një legjendë të krijuar dhe të mbështetur nga ata që nuk e di pse e mbështesin këtë ide, por kjo nuk na rezulton reale.
Pyetje: Ka pasur një akuzë ditëve të fundit, sa u përket listave zgjedhore, a keni ndonjë përgjigje për opozitën?
Ministri Lleshaj: Për listat zgjedhore, Ministria e Brendshme ka bërë një deklaratë lidhur me këtë, duke përgënjeshtruar dhe hedhur poshtë me vendosmëri të gjithë zërat që përpiqen të krijojnë një klimë dezinformimi në radhët e qytetarëve sa u përket listave zgjedhore. Listat zgjedhore janë publikuar tashmë dy herë në Shqipëri, pra nga fillimi i muajit tetor e deri tani janë publikuar dy herë. Në fillim të dhjetorit do të jetë ekstrakti i tretë që publikohet.
Nuk kemi asnjë rast konkret që një qytetar të ketë shkuar, të ketë verifikuar emrin e tij në listën zgjedhore pranë Njësive Administrative, ose online në e-Albania, dhe të ketë thënë që më kanë lëvizur q
Qendrën e Votimit, – nuk kemi asnjë rast.
Kemi vetëm pretendime politike, të pambështetura dhe të gënjeshtërta, të cilat mundohen të krijojnë një tym, që në fakt nuk mund të krijohet, sepse realiteti është aq kokëfortë, është aty. Çdokush prej jush, çdo qytetar i këtij vendi ka mundësinë sot të shkojë te Njësia e tij Administrative dhe të shohë emrin e tij në listën zgjedhore. Do të konstatojë ai që është aty ku ka qenë. Ose mund të futet në e-Albania dhe ta verifikojë këtë, pa u lodhur për të shkuar tek Njësia Administrative, ta verifikojë që Qendra e tij e Votimit nuk është e ndryshuar dhe nuk mund të ndryshohet.
Qendra e Votimit mund të ndryshohet vetëm me pëlqimin e qytetarit. Është vetëm qytetari që e vendos nëse do të transferohet në një Njësi tjetër Administrative apo jo, kundrejt plotësimit të kushteve ligjore. Të gjitha të tjerat janë përralla dhe vetëm përralla, të cilat u bëjnë dëm dhe nuk nderojnë autorët e tyre, vetëm kaq. Është krejtësisht e pamundur. Kjo histori është një zero e madhe.
(BalkanWeb)
