* Drejtori i Policisë Haki Çako dhe Altin Qato në vendngjarje
* Çako, policëve: Nëse keni fushëpamje, ndiqni procedurat
* Në Shkodër edhe forcat speciale RENEA
* Autori u konfliktua me 21-vjeçarin për një gardh
* Policia: Autori, Ruzhdi Ashtia dyshohet të jetë me probleme mendore
SHKODËR- E gjithë Policia e Shtetit është në këmbë. RENEA, FNSH-të, efektivët e policisë së Shkodrës, nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit po shkëmbejnë zjarr me 52-vjeçarin Ruzhdi Aishta i cili është fshehur në një banesë në fshatin Oblikë, në rrugën Shkodër-Hani i Hotit, pas dështimit për ta kapur të gjallë. Operacioni vështirësohet për shkak të errësirës ndërsa Policia po përdor edhe gazin lotsjellës.
NGJARJA
Komandanti i grupit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër ka mbetur i vrarë me armë zjarri gjatë një operacioni për kapjen e autorit të një plagosjeje në fshatin Oblikë. Gazetari Mirsad Rakaj raportoi se rreth orës 19:00 është plagosur 21-vjeçari Besar Sherbela. Ai u transportua me urgjencë në spital, ku mjekët bëjnë të ditur se ndodhet në gjendje të rëndë pasi ka marrë një plumb në kraharor, por pas ndihmës mjekësore është jashtë rrezikut për jetën.
Pas këtij krimi Policia e Shkodrës ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka organizuar operacionin për kapjen e autorit, i cili është identifikuar si Ruzhdi Aishta, 52 vjeç, bashkëfshatar i 21-vjeçarit.
Pasi është lokalizuar vendndodhja e autorit, blutë e Shkodrës kanë rrethuar zonën në përpjekje për ta kapur dhe i kanë bërë thirrje të dorëzohet. Por duke qenë i armatosur, Aishta ka qëlluar disa herë me armë duke plagosur Komandantin e FNSH-ve, Simon Gjetën (në foto), i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital.
Në Shkodër kanë shkuar edhe forcat speciale RENEA, të cilat bashkë me FNSH-të dhe efektivë të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës po vijojnë operacionin për kapjen e autorit të dy krimeve të rënda. Rreth orës 21:20 në Shkodër ka mbërritur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë, Drejtues i Lartë Altin Qato.
Ndërkohë që operacioni vijon Policia nuk lejon gazetarët të filmojnë, pasi blici i kamerave mund të frikësojë autorin, i cili mund të qëllojë nga momenti në moment. Gjithashtu është bllokuar edhe qarkullimi në rrugën nacionale.
Drejtori i Policisë së Shtetit ndodhet vetë në vendin e ngjarjes, ku po drejton operacionin. Ai ka urdhëruar efektivët e policisë se nëse kanë fushëpamje të zbatojnë procedurat, duke nënkuptuar eleminimin fizik të autorit.
MOTIVI
Të dhënat nga grupi hetimor bëjnë me dije se motivi i konfliktit mes autorit, Ruzhdi Aishta dhe 21-vjeçarit, Besar Sherbela ka të bëjë me çështje pronësie. Palët ishin përplasur sërish ditën e sotme për një gardh që kufizonte pronat e tyre. Sipas policisë, autori Ruzhdi Ashtia, dyshohet të jetë me probleme mendore. Ai jeton i vetëm në kodrën e fshatit Oblikë dhe sipas banorëve është person i rrezikshëm.
KUSH ISHTE EFEKTIVI SIMON GJETA
Simon Gjeta, Komandanti i Grupit të FNSH-së që mbeti i vrarë sot, ishte 47 vjeç dhe baba i dy fëmijëve. Ai ishte me origjinë nga Rrësheni, ndërsa prej pak vitesh jetonte në Shkodër, në lagjen “Mark Lula”. Gjeta kishte mbaruar Shkollën Ushtarake Skënderbej por më pas kishte kaluar në forcat e Policisë. Në ngjarjen e sotme, komandanti Simon Gjeta vendosi të hynte në shtëpinë e autorit, banesë njëkatëshe me katër dhoma dhe ta zinte në befasi 52-vjeçarin por, ky i fundit ishte i armatosur me një kallashnikov dhe hapi zjarr me breshëri ndaj tij.
(m.k/BalkanWeb)
