Të paktën nëntë persona mbetën të vrarë nga sulmet ajrore ruse në qytetet ukrainase më 22 mars, teksa luftimet e ashpra vazhduan në rajonin lindor të Donjeckut për kontrollin e qytetit të Bakhmutit.

Të paktën tetë persona u vranë dhe shtatë u plagosën kur u goditën dy konvikte të një kolegji në Rzhyshchiv, rreth 64 kilometra në jug të Kievit, thanë shërbimet e urgjencës në Facebook.

Një person u shpëtua nga vendi i ngjarjes dhe katër persona besohet se ishin të bllokuar nën rrënoja. Operacionet e shpëtimit vazhduan kërkimet gjatë natës së kaluar, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Disa orë më vonë, dy ndërtesa banimi u sulmuan me raketa në qytetin juglindor të Zaporizhjas. Një person u vra dhe 29 u dërguan në spital nga ai sulm, tha ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko.

Administrata ushtarake rajonale tha se sulmi “nuk kishte qëllime ushtarake”.
Klymenko tha se autoritetet në vend regjistruan “një krim tjetër lufte të Federatës Ruse kundër popullsisë civile”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet treguan se Moska nuk është e interesuar për paqe.

“Më shumë se 20 dronë vrasës iranianë, si dhe raketa, granatime të shumta. Dhe, kjo është vetëm për një natë të kaluar nën terrorin rus kundër Ukrainës”, shkroi Zelensky në Twitter.

“Sa herë që dikush përpiqet të përdorë fjalën ‘paqe’ në Moskë, jepet një urdhër tjetër për sulme të tilla kriminale”, shtoi ai, duke iu referuar dukshëm vizitës shtetërore të presidentit kinez, Xi Jinping, në Rusi, e cila përfundoi më 22 mars.

“Rusia po bombardon qytetin me egërsi shtazore. Zonat e banuara ku jetojnë njerëz të zakonshëm dhe fëmijë, po qëllohen me armë. Shteti terrorist kërkon të shkatërrojë qytetet tona, shtetin tonë, popullin tonë”, shkroi Zelenskey në mesazhin që shoqërohej me videon e një shpërthimi të fuqishëm.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha në raportin e tij të përditshëm se Rusia ndërmori një tjetër sulm ajror masiv me dronë të prodhuar nga Irani.

“Sipas informacioneve paraprake, 16 nga 21 dronët e nisur nga armiku u shkatërruan nga mbrojtësit tanë”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se kërcënimi i sulmeve ajrore mbetet i lartë në të gjithë vendin.

Në rajonin verior Zhytomyr, një sulm me dron dëmtoi një objekt të infrastrukturës, tha kreu i administratës ushtarake rajonale Vitaliy Bunechko në Telegram.

Zelensky më 22 mars vizitoi zonën pranë Bakhmutit, qytet ky që ka qenë epiqendra e luftimeve intensive prej muajsh, dhe ku janë shkaktuar humbje të mëdha për të dyja palët.

Ai u dha dekorata mbrojtësve të Bakhmutit dhe u informua për situatën operacionale në frontin e luftës, tha shërbimi i tij për shtyp.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: