Në 11 korrik 1971, në qytetin e Kavajës lindi Indrit Cara, një nga figurat më të ndritura të qëndresës shqiptare. Në vitin 1999, ai la emigracionin në Londër për t’u bashkuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke u rreshtuar në krah të luftëtarëve për liri. Ra dëshmor në betejën e Gallushës në Suharekë, duke shkruar me gjakun e tij një kapitull të lavdishëm të historisë shqiptare.
Në përvjetorin e tij të 54-t të lindjes, në sallën e auditoriumit të Ministrisë së Mbrojtjes u zhvillua një ceremoni përkujtimore, ku u nderua jeta dhe sakrifica e tij për atdheun.
“Indrit Cara, djaloshi i ri me shpirt luftarak dhe zemër luani, la Londrën dhe u kthye në tokën e nanë Kosovës për të luftuar për lirinë. Ai sot është hero, një term që shkundi ndërgjegjet tona”, shprehet Adem Ajdini, kryetar i Shoqatës “Skënderbej”
Kolonel Besim Gashi solli emocion në sallë, duke vënë në dukje se Indriti ishte një nga ata që iu përgjigj thirrjes së Kosovës në momentin më të vështirë.
“Kur flaka e luftës ishte në kulm, në ndihmë erdhi Indriti, biri i Shqipërisë që u bë edhe biri i Kosovës. Për ne, Indriti ka vetëm ditëlindje, sepse ai jeton përjetë”, shprehet Kolonel Besim Gashi
Fjalët më të ndjera erdhën nga familjarët e heroit dhe bashkëqytetarët e tij. Nga Kukësi, përfaqësues të Shoqatës “Malziu” nderuan kujtimin e tij me një certifikatë mirënjohjeje, ndërsa aktiviteti u shoqërua me poezi, këngë kushtuar Indritit dhe emocione të thella që përshkuan sallën.
“Indriti nuk ishte vetëm i yni. Ai është simbol i guximit, i idealizmit, dhe i atdhedashurisë së pastër. Kujtimi i tij është pjesë e historisë sonë kombëtare”, thotë Adhurim Cara.
Kënga “Mora fjalë” nga Shkurte Fejza u këndua si një himn për veprën e atyre që ranë për lirinë. Përkujtimi i 54-vjetorit të lindjes së Indrit Carës u shndërrua në një manifestim kombëtar krenarie dhe reflektimi.
