Pas përfundimit të zgjedhjeve dhe shpalljes së rezultateve zyrtare, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar publikisht duke shprehur mirënjohje për mbështetjen që partia e tij ka marrë nga qytetarët shqiptarë. Me dy mandate të fituara dhe mbi 50 mijë vota, Shehaj e konsideron këtë rezultat si një fitore historike ndaj sistemit dhe politikës së vjetër.

Në një postim në rrjetet sociale, Shehaj deklaroi se kjo ishte një përballje e vështirë, përballë frikës, propagandës dhe një sistemi të ngritur për të penguar çdo përpjekje të re politike. Ai thekson se Partia Mundësia hyri në këtë garë pa premtime boshe, pa pazare politike dhe pa kompromise, duke thyer “një mur që dukej i pakalueshëm”.

“Puna e vërtetë fillon tani,” – shkruan Shehaj, duke premtuar që në Parlament do të jetë zëri i çdo qytetari të ndershëm dhe i atyre që besuan te ndryshimi. Ai fton të gjithë ata që kanë qëndruar deri tani si spektatorë të bashkohen me Partinë Mundësia për të ndërtuar një opozitë të re – moderne, të ndershme dhe të vendosur.

Në fund të reagimit të tij, Shehaj ka falënderuar nga zemra çdo votues, vëzhgues, koordinator, kandidat dhe mbështetës të Partisë Mundësia, brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke e cilësuar këtë si një hap të parë drejt një të ardhmeje ndryshe për vendin.

Postimi i kryetarit të partisë Mundësia, Agron Shehaj:

E pamundura, ndodhi.

Pavarësisht frikës së mbjellë natë për natë, pavarësisht një sistemi të ngritur për të mos lënë askënd të ri të ngjitet, pavarësisht propagandës, pushtetit dhe establishmentit.

Luftuam, u përballëm dhe ia dolëm.

Dy mandate. 50 mijë qytetarë që na besuan. Pa premtime boshe. Pa lojëra. Pa pazare. Pa “më jep të të jap”.

Kemi thyer një mur që dukej i pakalueshëm.

Por puna e vërtetë fillon tani.

Ne do të jemi aty, me zë, me fakte, me qëndresë. Për çdo qytetar që na dha votën. Për çdo shqiptar që pret më shumë.

Për të gjithë ata që na kanë ndjekur nga larg, që kanë shpresuar, por nuk kanë besuar plotësisht se ndryshimi ishte i mundur…

Nuk ka më kohë për të qëndruar spektatorë apo për të pritur një shpëtimtar.

Ejani! Bashkohuni me ne!

Me mbështetjen tuaj, çdo gjë është e mundur.

Partia Mundësia është opozita e shekullit 21. E ndershme. E vërtetë. Moderne. E vendosur.

Një opozitë që sheh nga e ardhmja, një e ardhme që na përfshin të gjithëve.

Faleminderit nga zemra çdo votuesi, vëzhguesi, koordinatori, kandidati, kandidati nga diaspora, ambasadorëve të Partisë Mundësia, pjesëmarrësve në takime dhe të gjithë atyre që na kanë mbështetur, haptazi apo në heshtje.

Faleminderit të gjithëve!

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb