Napoli rigjen Romelu Lukaku. Pas ishte në pankinë në sfidën e Champions League, kundër Kopenhagen, sulmuesi belg zbriti në fushë në një miqësore kundër Savoia, skuadër që militon në Serie D.
Conte i kishte akorduar ekipit një ditë pushim, ndërsa të enjten u rikthyen për të përgatitur ekipin në kuadër të sfidës kundër Juventus, të dielën. Lukaku mungon prej një kohe të gjatë, për këtë arsye Conte kërkonte ta shihte në aksion, por dhe t’i jepte disa minuta në këmbë. Napoli fitoi 3-0 në këtë miqësore, ku rrugën e rrjetës e gjeti edhe Lukaku.
Në këtë moment të sezonit, Conte ka më shumë se një arsye për të buzëqeshur pasi kundër Juves rikthen edhe dy lojtarë të tjerë, Alex Meret dhe Zambo Anguissa. Dy lojtarët e fundit, po ashtu si Lukaku, mungojnë prej një kohë të gjatë, por ndaj “Zonjës së Vjetër” pritet të jenë në pankinë.
Të tre lojtarët do të vlerësohen me qetësi nga stafi, askush nuk dëshiron të rrezikojë, pasi të mërkurën luhet një tjetër ndeshje shumë e rëndësishme, ajo kundër Chelsea-t në Champions League, një ndeshje ku blutë duhet të fitojnë me çdo kusht për të siguruar një vend në fazën “play-off” të Champions League.
