Është e vështirë të flasësh në një kohë kur të gjithë duket sikur ulërasin dhe, siç thoshte Sabato, “Njerëzit ecin rrugës me spina në veshë”. Është, gati-gati, donkishoteske të shkruash kur realiteti është bërë imazh që kërkon vetëm veten, pra imazhin. Sidoqoftë, një provë duhet bërë, jo për tu dëgjuar, më shumë sesa të mos mbetesh peng i heshtjes.
“Letërsia është një gënjeshtër që fsheh një të vërtetë të thellë: është jeta ashtu siç nuk ka qenë, jeta siç donin ta jetonin burrat dhe gratë e një epoke të caktuar, por që nuk e jetuan dot, kështu që u është dashur ta shpikin nga mendja..” Mario Vargas LLOSA.
Pa grimë dyshimi, për letërsinë, sajesa, trilli, madje-madje edhe gënjeshtrat janë jetike për ta bërë më të gjallë dhe më të vërtetë thelbin e saj. Po kritika letrare, vallë i ka të nevojshme mjetet e lartpërmendura?! T.S. Eliot besonte se:”Funksioni i kritikës është ta ndajë ndjenjën nga gjykimi estetik.Ajo duhet të jetë e ftohtë, objektive dhe e ndërtuar mbi dije”. Në të njëtën mendje ishte edhe Northrop Frye kur shkruante se:”Kritika nuk është një gjykim personal, por një sistem që e ndihmon lexuesin të kuptojë sistemin e brëndshëm të letërsisë”. Edhe pa ndihmën e citateve të tilla logjika na cyt të themi; “Kursesi. Kritikës i duhet vetëm e verteta dhe thelbi i zhveshur nga çdo mjergull”,megjithatë, është më e udhës të mos ngutemi për tu përgjigjur.
Shpesh thuhet nga gazetarë, shkrimtarë, dashamirës të letërsisë, që tek ne mungon kritika letrare, dhe, një klishe e tillë, veç të tjerash, më mbush me habi. Gazetat, blogjet letrare, ‘wall-et’ e autorëve shqiptarë janë të mbushura me shkrime për libra. Biem dakort që kjo nuk është një kritikë e specializuar, as e institucionalizuar(dhe lavdi Zotit ka shkuar koha e saj), por nuk ka grimë dyshimi që një lloj i ri kritike(kritike e rrejshme) po lulëzon në pyjet e dëndura të letrave shqipe . Nëse ndokush lëndohet ngaqë termi ‘kritikë e rrejshme’është pak i ashpër, atëherë lë t’i vëmë çfarë emri tjetër,ama thelbi i kësaj kritike mbetet po ai. “Kritikë me fajde” është një titull që i rri akoma më përshtat dhe nuk është apsak për tu merzitur sepse, tekembramja, çdo gjë hua kemi në këtë botë.
Një tipar i kritikave të mirëfillta është se autori i tyre është dikush që së paku, është i arsimuar dhe i specializuar në studimin e letërsisë. Tek kritikat që sot po lulëzojnë gjithnjë e më shumë, autori qysh në hyrje ngre duart lart, pranon që nuk është një kritik letrar, paçka se nuk ngurron aspak të bëjë një gykim të zgjatur e të mbushur me epitetet të shkallës sipërore për veprës që ka lexuar.
Një aspekt dytë i “Kritikës me fajde” është se, thuajse të gjitha ulërasin: “doni më për belulin”, pra më shumë se për të nxjerrë në pah vlerën artistike të veprës, autori i kritikës stërmundohet të tregojë se, përveç lexues i mprehtë, sa shkrues i aftë është ai vetë. Mund të përmend shembuj pa fund, por i pari që më vjen në mendje është rasti i shkrimtarit shumë të dëgjuar B.M që në parathënien për librin e Nazim Hikmet tregon me detaje sesi një herë ai vetë, autori i parathënies theu krahun aq keq sa rrezikoi ta humbiste fare dhe kërkoi të mjekohej jashtë vendit sepse me krahun e djathtë shkruante. “Le të mësojë të shkruaj me të majtën” i thanë ata të partisë. Doni më për Hikmetin?
Për të vazhduar më tej;Kritika me fajde bëhet vetëm për autorë të gjallë dhe për libra të botuar së fundmi. Mundësisht i bëhet ‘tag’ autorit të veprës, si për t’i thënë shiko sa mirë kam folur për ty.
E kuptueshme besoj. As bankat nuk të japin kredi nëse je në moshë dhe nuk janë të binduara që ti do t’ua kthesh shumëfish. Këtu është e nevojshme të hapim një kllapë dhe të pyesim si ka mundësi që kjo lloj kritike merret vetëm me librat e botuar dy-tre vitet e fundit. Dhe për ta shtuar edhe më shumë habinë, si ka mundësi që edhe vetë autorët flasin, reklamojnë vetëm librin e tyre të fundit dhe lënë fare në harresë librat e tyre të mëparshëm. Njoh jo pak autorë që librat e tyre të parë i kanë hequr edhe nga jetëshkrimi i tyre. Vetvetiu, të kujtohen varret. Veç varret e reja janë të mbytura me lule artificiale.
Merret me mend që thelbi i kritikave me fajde është dallueshmërisht i ndryshëm nga thelbi i një kritike të serioze, ose mw saktw, nga thelbi i njw kritike të ndershme. Nëse në një kritikë e somqertë, jepen komente, vlerësime, vërejtje dhe sugjerime, kritikat që kanë lulëzuar tek ne janë të mbigopura vetëm me elozhe dhe lëvdata. S’do mend, jepi Çezarit atë që është e Çezarit, por edhe teorikisht është e pamundur të mos gjesh ca gjera që nuk të pëlqejnë, ose që ta vrasin veshin në njëqind apo dyqind faqe liber. Madje, edhe në librat që i kemi shkruar vetë gjejmë gjëra që mund t’i kursenim ose që mund t’i shkruanim ndryshe. Nëse kritikat profesionale i japin një ndihmesë si lexues për ta orientuar atë drejt vlerave të larta artistike, ashtu edhe autorit për tu rritur, Kritika me fajde thuajse rrallë e përmbushin këtë qëllim. Xhanëm as që e kanë qellim një gjë të tillë.
Nuk janë të paktë ata që mbrojnë verbërisht mendimin se, me krizën që po pëson libri dhe letërsia në përgjithësi, çdo shkrim dhe sugjerim për librat është akt sublim. “Duhet të ecësh me kohën.Shekull i ri, metoda të reja”- thonë ata për t’i vërë vulën diskutimit. Mund të kenë të drejtë edhe pse letërsia ka lindur si nevojë për të dalur jashtë kohe. Sidoqoftë, mendoj se, më shumë se të shkruajmë për letërsinë, ka rendësi çfarë themi për të. Nuk është habi që sot nuk kemi letërsi as të mirë, as letërsi të keqe. Kemi vetëm letërsi të promovuar dhe letërsi lënë në harresë! Dhe, meqënëse e nisëm me krahasimin e zymtë të luleve artificiale, s’do të bënim keq të sillnim në kujtesë faktin se do të mbahet mend gjatë, jo varri që ka më shumë lule, por emri që u dha më shumë të gjallëve.
