Kryeministri Edi Rama ka mbledhur Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për të adresuar situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit, të shkaktuara nga reshjet intensive të shiut në disa zona të vendit.
Mbledhja vjen pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Durrës, si dhe pas akuzave publike se hidrovoret nuk po funksionojnë dhe thirrjeve për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Në reagimin e tij, Rama ka bërë thirrje për qetësi dhe durim, duke theksuar se situata kërkon menaxhim dhe ndihmë konkrete për qytetarët e prekur.
“Të gjithë i ka lodhur ky shi i ftohtë dhe i madh, sidomos kur shihen pamjet e shtëpive të përmbytura, dëmtimet dhe humbjet e gjësë së gjallë. E di që fjala durim mund të tingëllojë si cingërisje veshësh, por është e domosdoshme”, është shprehur kryeministri.
Rama ka hedhur poshtë akuzat se përmbytjet janë pasojë e mosfunksionimit të hidrovoreve, duke theksuar se reshjet e dendura nuk ndalen me shpifje, as lumenjtë nuk kthehen në shtrat përmes protestave apo sloganeve politike. Sipas tij, thirrjet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme vetëm sa krijojnë ndarje dhe konfuzion, pa kontribuar në rritjen e sigurisë për qytetarët.
Ai ka theksuar se situata e rënduar nuk është vetëm në Shqipëri, por ka prekur një hartë të gjerë rajonale dhe evropiane, nga Italia dhe Greqia, deri në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, për shkak të të njëjtave kushte atmosferike ekstreme.
Në fund, kryeministri ka vënë theksin te ndryshimet klimatike dhe përgjegjësia qytetare, duke deklaruar se kjo nuk është më klima me të cilën janë rritur brezat e mëparshëm. Sipas tij, ndotja, hedhja e mbetjeve dhe shkatërrimi i pyjeve vetëm sa i përkeqësojnë pasojat e ndryshimeve klimatike.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në terren, ndërsa strukturat e emergjencave janë në gatishmëri për të ndihmuar qytetarët e prekur nga përmbytjet.
