LUSHNJË– Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot në Lushnje, kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Lushnjës, Fatos Tusha.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se shqiptarët nuk mund të mashtrohen nga demokratët, të cilët sipas tij, janë ata që i hapën plagët këtij vendi.

“Ikën nga zyrat e shtetit me 1 milion shuplaka, por vijnë dhe tregojnë plagët që hapën vetë dhe fajësojnë qeverinë duke besuar se shqiptarët janë budallenj dhe i marrin pas si delet”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se qeveria e kaluar dështoi me legalizimiet duke i kthyer në një politikë ryshfeti.

“540 milionë ka paguar qeveria për të shpronësuar ato godinat mizerabël, mejhanet mu mbi rrugën hyrëse, mbrapa pallatit të Kulturës këtu. Ishin para që mund të shkonin për të ndërtuar dy kopshte, për të rindërtuar edhe një tjetër shkollë përveç 18 Tetorit që është një nga shkollat më të mira të Republikës. Legalizimet i kthyen në politikë ryshfeti, në vend që të merreshin me njerëzit hallexhinj nuk lanë mejhane të turpshme dhe ngrehina pa legalizuar, ne na lanë pas faturën, i kanë legalizuar, hipotekuar dhe kthyer në pronarë”,- vijoi kryeministri.

Kryeministri Rama kërkoi votën për Fatos Tushën, ndërsa tha se në 4 vitet e kaluara kryebashkiakët e majtë janë persekutuar nga qeveria Berisha.

“Kryebashkiakët kanë qenë nën rrethim, janë parë si kështjella që duheshin rrethuar, i rrethoi Saliu bashkitë nuk ju dha asnjë kokërr leku, i ngatërronte edhe kur kishin për të paguar ujësjellësin. Në këto 18 muaj tregojnë të kundërtën, partneriteti me qeverinë është rritur. Bashkia e re e Lushnjes është një bashki me pasuri të mëdha natyrore dhe njerëzore që do i kthejmë në pasuri ekonomike. Prandaj duhet ta votoni Fatos Tushën se po ua kalon Divjaka. iI shkurtër, i shkurtë Erioni por kanë një gjë këta të shkurtrit, që s’ka të gjatë që i kap kur ia fusin vrapit”,-shtoi Rama.

Ndërsa kandidati për bashkinë Fatos Tusha e ndali vëmendjen e tij tek punësimi dhe bujqësia. Imedjate për të është ndërtimi i shkollës në Kashbardhë”.

RAMA: KEMI VIZION TË QARTË PËR RIPËRTËRITJEN E QYTETEVE
Kreu i qeverisë tha se kryetarët e bashkive duhet të bashkëpunojnë me kryeministrin në mënyrë që të gjenden zgjidhjet e duhura për problemet e qytetarëve. Duke u ndalur tek projektet e qeverisë, Rama tha se mazhoranca ka një vizion të qartë për ripërtëritjen e qyteteve.

“E lanë vendin në situatë të rënduar e tani po shlyejmë çdo borxh që na la qeveria e kaluar. Qeveria qesharake na bëri popull qesharak. Energjia nuk u pagua, por faturat nuk i fshinë. Një kryetar bashkie i djathtë kërkoi të më takonte, por fshehur, se tha “më shohin”. Si do punojmë ne me kryetar bashkish që kanë frikë se i shohin, si do punojmë ne me kryetar bashkish që nuk takojnë dot kryeministrin, nuk takojnë dot ministrat, se kanë frikë se i shohin.

Edhe ankohet SHQUP-i, se kryeministri po i kërcënon që po votuat kandidatët e PD s’ka ujë…jo mo jo nuk kërcënoj njëri unë. Unë po them që ne kemi nisur një drejtim në rrugën e duhur, e kemi treguar që kemi një vizion të qartë sesi ripërtërihet trupi i qyteteve të shkatërruara, të lëna në harresë dhe kemi nevojë që në çdo bashki të kemi një ministër në territor, jo një përfaqësues SHQUP-i që të bëjë konferenca shtypi kundër qeverisë. Na duhen kryetar bashkie që të bashkëpunojnë me ne ditë e natë, ditë natë të punojnë me ne për projektet, për të siguruar financimet nga buxheti i shtetit, nga institucionet financiare, nga donatorët, të punojnë me në për të bërë realitet çdo zotim të programit tonë të Rilindjes. Ata në SHQUP nuk i duan kandidatët për punë, i duan për të penguar sa më shumë, dhe për të gënjyer sa më shumë”, tha Rama.

(ma.ar/el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: