Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz theksuan në samitin e Berlinit për sovranitetin dixhital të Evropës, si dhe për nevojën absolute që ‘kontinenti i vjetër’ të çlirohet dixhitalisht nga varësia ndaj SHBA-së dhe Kinës.

“Ndryshimet tektonike që po shohim tani në botë, në qendrat politike dhe ekonomike të fuqisë, kërkojnë veprim të menjëhershëm në fushën dixhitale”, deklaroi Merz dhe i bëri thirrje Evropës të veprojë që të mos ia dorëzojë në të ardhmen fushën gjithnjë e më vendimtare dixhitale SHBA-së dhe Kinës.

“E ardhmja do të vendoset kryesisht në hapësirën dixhitale dhe dy superfuqitë dixhitale, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, garojnë për primatin teknologjik. Evropa nuk duhet t’ua lërë atyre këtë fushë”, theksoi ai.

“Kjo nuk do të thotë se mbështesim izolimin dhe proteksionizmin. Ne po përjetojmë një varësi nga këto dy vende dhe varësi të tilla përdoren si levë presioni në politikën e fuqisë”, shtoi Merz, duke nënvizuar gjithashtu nevojën që Evropa të jetë në gjendje të mbrohet vetë ndaj sulmeve kibernetike dhe fushatave të dezinformimit.

Nga ana e tij, Emmanuel Macron e renditi si prioritet kryesor «preferencën evropiane», sidomos në tenderët publikë, që të mund të zhvillohen «kampionët» evropianë të teknologjisë.

Macron theksoi se Evropa nuk dëshiron te jetë vasale në këtë sektor.

“Kinezët i japin kontrata ekskluzive sa më shpesh të jetë e mundur dhe amerikanët kanë një preferencë shumë të fortë për produktet amerikane. Le të jemi të qartë: Evropa nuk dëshiron të jetë thjesht klient i korporatave të mëdha apo i zgjidhjeve të shkallës së gjerë që ofrohen qoftë nga SHBA-ja, qoftë nga Kina. Ky qëndrim është thjesht një refuzim për t’u bërë vasalë”, deklaroi Macron.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb