Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Sipas njoftimit të Presidencës franceze, Macron rikujtoi mbështetjen e palëkundur të Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës.

Ai nënvizoi përkushtimin e tij për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në mbështetje të ndërmjetësimit evropian dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve Bruksel-Ohër.

Macron përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Presidenti francez po ashtu shprehu keqardhje për dështimin e votimit për revokimin e disa kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Ai kujtoi se mbeti i domosdoshëm organizimi i zgjedhjeve të reja sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen e popullatës serbe./Telegrafi/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb