Presidenti francez Emmanuel Macron u ka bërë thirrje qytetarëve të Francës që të mos u besojnë parashikimeve të sondazheve që nxjerrin Marine Le Pen si favorite për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
Gjatë vizitës së tij në Gjermani, Macron deklaroi se sondazhet nuk duhet të konsiderohen si rezultate të sigurta dhe solli si shembull zgjedhjet e mëparshme presidenciale, ku parashikimet nuk u përputhën me rezultatin përfundimtar.
“Mos u besoni të gjitha sondazheve”, u shpreh Macron, duke shtuar se njeh shumë raste kur sondazhet kishin parashikuar fitues të sigurt disa kandidatë, por rezultati në zgjedhje kishte qenë ndryshe.
“Unë njoh shumë njerëz, sondazhet e të cilëve në vitin 2016 i treguan ata si fitues të sigurt, por kjo nuk u konfirmua në vitin 2017”, tha presidenti francez, duke iu referuar fitores së tij të parë në zgjedhjet presidenciale.
Macron u kërkoi francezëve të kenë besim te procesi demokratik dhe te zgjedhësit, duke theksuar se nuk duhet të krijohet një pritshmëri negative për të ardhmen politike të vendit.
“Kini besim te populli francez. Mos parashikoni më të keqen për ta dhe lërini të duan më të mirën”, deklaroi kreu i Elizesë.
Marine Le Pen, liderja e së djathtës ekstreme franceze, është renditur prej kohësh ndër figurat kryesore politike që synojnë presidencën në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa gara e vitit 2027 pritet të jetë një nga betejat më të rëndësishme politike në Francë.
