Plani i paqes për Ukrainën i propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump lëviz në drejtimin e duhur, por ka aspekte që duhet të përmirësohen në mënyrë që të jetë i pranueshëm për Ukrainën dhe Evropën, deklaroi sot presidenti francez Emmanuel Macron për radion RTL.

“Është një nismë që ecën drejt drejtimit të duhur, drejt paqes. Megjithatë, ka pika në këtë plan që meritojnë diskutim, negocim dhe përmirësim,” theksoi Macron.
Macron shton se nga një marrëveshje asnjë palë nuk duhet të dalë e humbur.

“Ne duam paqe, por jo një paqe që do të përbënte kapitullim,” shtoi ai, duke nënvizuar se vetëm ukrainasit mund të vendosin se çfarë lëshimesh territoriale janë të gatshëm të bëjnë.

“Ajo që është vendosur në tryezë na jep një ide se çfarë do të ishte e pranueshme për rusët. Por a do të thotë kjo se është e pranueshme edhe për ukrainasit dhe evropianët? Përgjigjja është jo,” vuri në dukje ai.

Macron shtoi se, në rast të arritjes së paqes me Rusinë, linja e parë e mbrojtjes së Ukrainës do të jetë rindërtimi i ushtrisë së saj, dhe se nuk mund të vendoset asnjë kufizim në këtë drejtim.

Ai theksoi gjithashtu se u takon “evropianëve të vendosin” se si do të përdoren asetet ruse të ngrira, të cilat Trump propozon t’i investojë në projekte të rindërtimit të Ukrainës nën drejtimin e SHBA-së.

“Evropianët janë të vetmit që kanë fjalën e fundit, sepse është pjesë e planit: çfarë do të bëjmë me asetet ruse të ngrira që mbahen nga evropianët,” tha Macron për RTL.
Presidenti francez, i cili pritet të marrë pjesë pasditen e sotme në një samit online të koalicionit të mbështetjes për Ukrainën, bëri thirrje gjithashtu që Evropa të mos shfaqet “e dobët” përballë “kërcënimit” rus, i cili është bërë “shumë më agresiv”.

“Nëse tregojmë dobësi në Ukrainë, nëse themi ‘nuk është më puna jonë, është shumë larg’ (…) atëherë do ta braktisim Ukrainën,” paralajmëroi ai.

“Atë ditë ju do t’i dërgoni një mesazh dobësie Rusisë, e cila prej 10 vitesh ka bërë një zgjedhje strategjike: të rikthehet në një fuqi perandorake, pra të avancojë kudo,” vazhdoi Macron.

I pyetur nëse synon të shkojë në Uashington për të ndihmuar në negociimin e një marrëveshjeje më të mirë, Macron u përgjigj se nuk e ka në plan për momentin.

Ai theksoi gjithashtu, duke iu referuar sërish Rusisë, se vetëm Moska pengon arritjen e paqes në Ukrainë, sipas një pjese të deklaratave të tij të regjistruara që u publikuan më herët në X nga RTL.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb