Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri thirrje Izraelit të pranojë bisedime të drejtpërdrejta me autoritetet e Libanit dhe me të gjithë përbërësit politikë të vendit, duke ofruar që këto negociata të zhvillohen në Paris.

Në një reagim në rrjetin social X, Macron theksoi se duhet bërë gjithçka për të parandaluar që Libani të zhytet në kaos. Ai kërkoi që Hezbollah të ndalojë menjëherë sulmet e tij, ndërsa Izraeli të heqë dorë nga një ofensivë e gjerë dhe të ndërpresë bombardimet masive që kanë detyruar qindra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre. Macron bëri të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Libanit Joseph Aoun, kryeministrin Nawaf Salam dhe kryetarin e parlamentit Nabih Berri. Sipas tij, udhëheqja libaneze ka shprehur gatishmërinë për t’u angazhuar në dialog të drejtpërdrejtë me Izraelin. Presidenti francez theksoi se Izraeli duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi për të vendosur një armëpushim dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme që do t’i lejojë autoritetet libaneze të zbatojnë angazhimet për sovranitetin e vendit.

Ndërkohë, tensionet në rajon mbeten të larta pasi Hezbollah e përfshiu Libanin në konflikt më 2 mars, duke lëshuar raketa drejt Izraelit në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit Ali Khamenei gjatë sulmeve izraelito-amerikane ndaj Iranit. Që prej atëherë, Izraeli ka intensifikuar bombardimet në territorin libanez dhe ka paralajmëruar zgjerimin e operacioneve ushtarake. Në një fjalim televiziv, udhëheqësi i Hezbollahut Naim Qassem deklaroi se organizata është e përgatitur për një “konflikt të gjatë”, duke shtuar shqetësimet për përshkallëzim të mëtejshëm të luftës në rajon.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: