Partizani po shkon drejt mbylljes së një prej sezoneve më të komplikuara që kur presidenti Demi e mori klubin në vitin 2013.
Por pavarësisht gjithë vështirësive, të kuqtë siguruan për herë të dytë radhazi pjesëmarrjen në “Final 4”, një arritje, që më shumë se një sukses sportiv, është një garanci financiare. Të kuqtë kanë siguruar tashmë kalimin minimalisht në Ligën e Konferencës, ku koeficienti i ndihmon që me shumë mundësi të jenë në vazon e favoritëve dhe të kenë përballë kundërshtarë modestë.
“MAGJIA” E FORMULËS – Këtë sezon, Partizani grumbulloi 53 pikë. Të njëjtin numër pikësh të kuqtë e kishin regjistruar edhe në tri sezone të tjera në 12 vitet e fundit dhe në dy prej tyre nuk janë kualifikuar dot në Europë, në tjetrin kanë kaluar për shkak të dënimeve të rivalëve. Por këtë sezon, skema ka ndryshuar dhe të kuqtë ky 53 pikësh i grumbulluar mund t’i japë edhe titullin kampion. Janë edhe vetëm dy ndeshje për t’u luajtur dhe futbolli ka treguar për dekada se mund të dhurojë surpriza e befasi të mëdha. Kjo është “magjia” e formulës së kampionatit me “Final 4”.
SHANSET – Në letër, Partizani është një skuadër me më pak cilësi se Vllaznia, Dinamo dhe Egnatia, tre rivalët e tjerë për titullin. Të kuqtë bënë largime në janar dhe që nga ajo kohë kanë vuajtur shumë thuajse me çdo kundërshtar. Në një renditje hipotetike të vitit 2025 të kuqtë do të renditeshin në vendin e nëntë me vetëm 20 pikë të grumbulluara pas 17 ndeshjesh. Për më tepër kanë shënuar vetëm 13 gola dhe kanë pësuar 18 të tillë. Krahasuar me rivalët, Dinamo gjatë kësaj periudhe ka marrë vetëm një pikë më shumë, çka tregon për njëfarë krize të bluve gjatë 2025- ës. Megjithatë, që të kuqtë të luajnë derbi, duhet të kalojnë Egnatian fillimisht, skuadrën që ka grumbulluar më shumë pikë se çdokush këtë vit, 29 të tilla. Vllaznia ka marrë tri pikë më pak se rrogozhinasit. Jo më kot, këto dy ekipe u renditën në dy vendet e para dhe kanë avantazhin e barazimit në gjysmëfinale.
SYNIMET – Të gjendur në gjysmëfinale, te Partizani nuk ka arsye përse të mos e pretendojnë titullin kampion, pasi në fund të dy fundit dy ndeshje janë dhe gjithçka mund të ndodhë. Por në klubin janë të vetëdijshëm se misioni është shumë i vështirë për shkak se kanë një skuadër më modeste se Egnatia dhe rivalët e tjerë. Ky detaj në parim është një disavantazh, por mund të kthehet edhe në avantazh. Me arritjen në katërshe, në klubin e kuq është hequr barra e presionit dhe në këto ndeshje lojtarët dhe stafi shkojnë të lirshëm dhe kanë detyrën e vetme për të dhënë më të mirën. Presionin e kanë rivalët.
