Hermeto Pascoal, kompozitori inovativ brazilian i famshëm për përzierjen e tij të xhazit dhe muzikës tradicionale, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Multi-instrumentisti autodidakt u ngrit nga varfëria duke arritur famë ndërkombëtare – teksa Miles Davis që e quajti atë “muzikantin më të rëndësishëm në planet”.
Ai ishte “i rrethuar nga familja dhe kolegët muzikantë”, thuhet në një deklaratë që njofton vdekjen e tij. Pascoal shkroi më shumë se 2,000 pjesë instrumentale dhe vazhdoi të krijonte muzikë. Artisti ishte kryesisht pianist dhe flautist, por gjithashtu luante saksofon, kitarë, bateri dhe fizarmonikë – dhe shpesh përfshinte sende shtëpiake në punën e tij.
Ndërsa po regjistronte albumin e tij debutues Slaves Mass për Uarner Brothers në vitin 1976, ai solli derra të gjallë në studio. I lindur më 22 qershor 1936 në një vendbanim rural në verilindje të Alagoas, ai mësoi vetë muzikë.
Në moshën 10 vjeç, ai filloi të luante në valle dhe dasma, përpara se të vazhdonte të luante forro dhe muzikë tjetër tradicionale braziliane në të gjithë rajonin.
Në fund të viteve 1950, ai u zhvendos në Rio de Janeiro dhe zbuloi skenën e xhazit të qytetit, duke performuar në klube nate dhe duke u bashkuar me një orkestër radioje. Përzierja e tij e xhazit dhe stileve tradicionale folk ngjalli vëmendjen e yjeve më të mëdhenj brazilianë në këtë zhanër. Këngëtarja Elis Regina performoi me Pascoal, ashtu si edhe perkusionisti Airto Moreira. Ky i fundit e shoqëroi atë në një turne në SHBA, ku u prezantua me Miles Davis. Por, pavarësisht se fitoi respektin e figurave të shquara në botën e xhazit, Pascoal e hodhi poshtë etiketën si muzikant i xhazit dhe tha se i detyrohej po aq shumë muzikës braziliane si chorinho dhe samba. “Kur mendojnë se po bëj një gjë, unë tashmë po bëj diçka tjetër… Është shumë e rrjedhshme,” i tha ai Jazz Uorld në vitin 2022.
