Nga: ZONJA VJOLLCA
400 gr makarona tub të shkurtra
1/2 presh
1 thelpi hudhër
250 gr salçiçe të pagatuara
½ gotë verë të bardhë
400 gr kërpudha miks
350 gr rikota / gjizë pa kripë
4 lgj parmixhan i grirë + 2 lgj për granitim
Vaj, kripë, piper, trumzë e freskët

Beshamel:
30 gr gjalpë
20 gr miell
250 gr qumësht
Kripë, piper, arrë moskat

Vendosim tenxheren me ujë të bollshëm për të zjerë me pak kripë dhe vendosim makaronat të ziejnë për 10 minuta, 6 minuta më pak se koha e duhur e shkruar në etiketë (pasi duhet të jenë shumë aldente). Ndërkohë vendosim tiganin me vaj dhe kaurdisim preshin të prerë në unaza shumë të holla (jo bishtat), shtojmë hudhrën të shtypur i kaurdisim mirë derisa preshi të zbutet, më pas shtojmë salçiçet të pastruara nga lëkura dhe thërrmojmë mishin e tyre duke e skuqur mire së bashku me preshin. E rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi dhe e shuajmë gatimin me verë të bardhë. Sapo vera të avullojë shtojmë në tigan kërpudhat e pastruara të prera shumë imët. I lemë kërpudhat të gatuhen me të gjithë përbërësist e tjerë dhe ndërkohë në një tenxhere të vogël përgatisim beshamelin. Shkrijmë gjalpin dhe kaurdisim pak miell, më pas shtojmë qumështin duke e trazuar që të mos bëhet me kokrriza dhe sapo të marrë valë shtojmë kripë, piper të zi dhe arrë moskat. Ndërkohë trazojmë dhe kërpudhat herë pas here derisa ato të ulin volumin dhe të gatuhen plotësisht. Komplet përbërësit që gatuam në tigan i vendosim në një tas dhe pasi të ftohen pak i transferojmë në tasin ku kemi rikotën ose gjizën pa kripë, shtojmë djathin parmixhano dhe i përziejmë të gjitha së bashku me një lugë druri. Në një tavë hedhim pak beshamel dhe e përhapim mirë në të gjithë sipërfaqen e tavës. Vendosim vertikalisht makaronat duke lenë hapësirat lartë. Mbushim komplet sipërfaqen e tavës me makarona dhe fillojmë më pas mbushim të gjitha tubat me salcën e përgatitur me kërpudha, salçiçe dhe rikota. Pasi ti kemi mbushur të gjitha makaronat e mbulojmë sipërfaqen me beshamelin e mbetur dhe e spërkasim me pak djath parmixhano të grirë. E vendosim tavën në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 20-25 minuta. Kjo recetë mund të realizohet dhe në tava të vogla personale.
(er.cu/vila24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb