Disa video që po qarkullojnë në rrjet, tregojnë trupa ukrainase duke rrëzuar një avion luftarak rus dhe duke marrë më pas peng një oficer të lartë të ushtrisë, teksa godisnin pozicionet e armikut me helikopterë në ofensivën për t’i rikthyer vendin territoret e pushtuara nga Vladimir Putin.

Zhvillimet u raportuan nga disa burime, duke përfshirë një kanal pro-rus në Telegram, i cili gjithashtu ankohej për suksesin e kundërsulmeve të Kievit që kanë filluar të rriten ditët e fundit.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se ka pasur luftime të ashpra në tre fronte: në veri afër Kharkiv; në lindje në Donbas; dhe në jug në Kherson Oblast – ku Ukraina ka ngritur një kundërofensivë në përpjekje për të rimarrë territorin e pushtuar.

Ndërkohë, pamjet e shfaqura tregojnë momentin kur avioni luftarak rus u rrëzua mbi një fushë në Ukrainë. Sipas komandës operacionale jugore të Kievit, avioni Su-25 u godit ndërsa fluturonte poshtë një rakete të mbrojtjes ajrore të lëvizshme (MANPAD).

Videoja e rrëzimit të Su-25 është publikuar nga Anatoliy Shtefan, një oficer i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Avioni mund të shihet duke fluturuar në kornizën e videos nga e djathta, me një aeroplan të dytë që fluturon afër pas tij, dërsa i pari në një moment shihet duke humbur lartësinë.

Më pas avioni përplaset në tokë dhe rrokulliset si një gur përgjatë tokës. Një zë që besohet të jetë nga ushtria ukrainase dëgjohet duke thënë “Po, po…” në anglisht me theks dhe më pas në rusisht: “Ra përtokë”.

Një video tjetër tregoi helikopterët ukrainas duke fluturuar mbi një rrugë që kalon midis fushave dhe duke lëshuar raketa mbi pozicionet e ushtrisë ruse.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga ushtria e Ukrainës sot, Rusia ka humbur gjithsej 237 avionë luftarakë, 208 helikopterë dhe 880 dronë.

Në fillim të luftës, analistët kishin frikë se epërsia ajrore e Rusisë do të rezultonte në një fitore të shpejtë për Putinin dhe Moskën. Megjithatë, kjo epërsi nuk u materializua kurrë, me Ukrainën që vendosi mbrojtje efektive ajrore dhe rrëzoi disa avionë luftarakë rusë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb