Presidenti i Maldiveve, Abdulla Yameen, miratoi një ligj të ri që i lejon të huajt që investojnë më shumë se 1 miliard dollarë që të marrin në posedim terrenin që do të zhvillojnë, me kushtin që toka në masën 70% të formohet nga hektarë të rinj, nga sistemi i bonifikimit. Në këtë ishull, deri më sot, janë njohur format e dhënies me koncesion që nuk mund të tejkalonte periudhën 99 vjet.
Kjo masë është justifikuar si e domosdoshme për të tërhequr kapitalin, por edhe për të përmirësuar infrastrukturën ekzistuese. Vendimi i kreut të shtetit duket se ka hapur një garë mes vendeve që janë të interesuara të shtrijnë “duart” në këtë parajsë të vogël të Oqeanit Indian.
Australianët tërhiqen nga kjo formë investimi mbi të gjitha për kthimin e lartë ekonomik, ndërsa indianët, amerikanët dhe kinezët e shohin gadishullin e Maldiveve si mundësi nga pikëpamja ekonomike, financiare, ushtarake dhe strategjike.
Edhe pse qeveria i ka siguruar investitorët për transparencë maksimale, ka nga ata që kanë hedhur hije dyshimi se të 1,200 ishujt do të përfundojnë në “duart” e kinezëve.
Dhe jo vetëm sepse Pekini është në gjendje që të vendosë në “pjatë” kapitalin e nevojshëm në sektorin e turizmit, por edhe sepse të gjithë e dinë se Partia Komuniste Kineze është shumë afër Presidentit Yameen, sikundër ishte qeveria e Nju Delhit në vitin 2012.
Nuk është e rastësishme që projekti indian për zgjerimin e aeroportit u pezullua, ndërsa qeveria kineze po sheh mundësinë e ndërtimit të një autostrade që do ta lidhë me kryeqendrën e Maldiveve, Malé, e që tashmë është miratuar.
E kjo mund të jetë një arsye që për të shmangur rritjen e tensionit në Azinë Jugore, Presidenti Abdulla Yameen mund ta luajë kartën e investimeve duke favorizuar investitorët amerikanë. Për momentin, e vetmja gjë e sigurt është se Maldivet janë vënë në shitje dhe nuk do të duhet shumë kohë për të parë progresin e transformimit (për keq) të asaj që të gjithë janë mësuar ta quajnë “parajsa në Tokë”.
