Ndërsa niveli i detit po rritet, vendet e ulëta si Maldivet përballen me një krizë ekzistence. Bota duhet të luftojë që t’i shpëtojë këta ishuj dhe komunitete përpara se ato të zhduken nën oqean.

Plazhet e bukura në Maldive janë një parajsë e vërtetë. Por këto brigje ranore dhe komunitetet e këtushme përballen me një rrezik të madh – ndryshimin klimatik.

Maldivet përbëhen nga 1200 ishuj të shpërndarë në një hapësirë prej 90 mijë kilometrash katrorë në Oqeanin Indian. Ishujt formojnë 26 unaza brezash koralorë, shumë prej të cilëve janë shndërruar në një destinacion të dëshiruar nga turistët.

Koralet e Maldiveve ofrojnë habitatin e duhur për një mori gjallesash nënujore. Toka qëndron mesatarisht në vetëm 1.5 metra mbi nivelin e detit. Kjo do të thotë se ndryshimi klimatik krijon vështirësi për të gjithë vendin.

“Maldivet jo vetëm që janë një vend oqeanik, por edhe gjenden në lartësi shumë të ulët. Kemi pra një kombinim faktorësh. Kemi stuhira më të shpeshta. Kemi rritje të nivelit të detit. Dhe kemi valë të të nxehtit detar që po dëmton në disa raste koralet dhe këto komunitete”, thotë Dr. Lucy Woodall, shkencëtare në institutin britanik “Nekton”.

Ndryshimet klimatike kanë shkaktuar tashmë dëme. Në vitin 1998, një valë të nxehti në Oqeanin Indian ngriti temperaturat me 4-6 gradë Celcius, duke dëmtuar dhe zhdukur koralet. U deshën mbi 15 vjet që brezi koralor të rimëkëmbej. Një tjetër shkatërrim i tillë ndodhi në vitin 2016. Këto valë të nxehti pritet të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të forta dhe ky habitat i çmuar ndoshta një ditë nuk do të rimëkëmbet dot më.

Shkencëtarët duan të studiojnë ujërat përreth për të kuptuar plotësisht se çfarë rrezikohet.

“Gjendemi në një situatë kur po humbasim breza koralorë, por nuk dimë se çfarë tjetër po humbasim. Kjo do të na jepte një mundësi për të kuptuar plotësisht situatën, për të dalë me një vlerësim të mundshëm se cili është ndikimi real i ndryshimit klimatik, si dhe i ndërtimeve përgjatë bregdetit dhe proceseve të tjera që po ndikojnë tek këto ujëra”, thotë Hana Amir, biologe e jetës detare në Maldive.

Sipas zyrtarëve, 71% e popullsisë mbështetet tek oqeani për të fituar jetesën.

“Shtrohet pyetja se çfarë do të bëjmë nëse goditemi nga skenari më i keq i mundshëm? Pasi peshkimi, turizmi dhe çdo e ardhur në vend është plotësisht e varur nga këta breza koralorë. Nëse ata shkatërrohen, çfarë do të bëjmë? Është paksa apokaliptike kur e mendoj, por mundësia është dhe e mendoj shpesh, në veçanti me pasojat e përshpejtuara të ndryshimit klimatik”, thotë zonja Amir.

Ajo do t’i bashkohet një ekipi shkencëtarësh që do të dokumentojnë jetën në thellësinë 1 mijë metra nën det. Të dhënat e mbledhura do ta ndihmojnë qeverinë që të mbrojë të paktën 20% të territorit oqeanik.

“Vendasit nuk kanë krijuar krizën klimatike dhe të biodiversitetit, por ata po i përjetojnë pasojat të parët. Ata shërbejnë për ne si një fanar në një tunel të errët. Duhet të kuptojmë se çfarë po i ndodh planetit dhe Maldiveve, të cilat janë një vend kaq i madh oqeanik. Mundemi t’i shqyrtojmë për pasojat e mundshme, si dhe për zgjidhjet që do të kemi”, thotë Oliver Steeds, drejtues i misionit studimor “Nekton”.

Ndryshimi klimatik pritet që vetëm të përkeqësohet. Një studim i ri i publikuar së fundmi në revistën “Communications Earth & Environment” konstaton se “i nxehti i rrezikshëm” që do të sjellin dekadat e ardhshme, do të godasë ndoshta pjesën më të madhe të botës me frekuencë të paktën tre herë më të madhe./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb