Në Serie A, java e 15-të, rezultoi një mallkim i vërtetë për legjionarët kuqezi, në një kohë kur Berisha dhe Gjimshiti, të dy dolën nga fusha të dëmtuar. Mes lotësh dhe në barelë, Berisha trembi jo pak stafin e Lecce-s, por edhe të Kombëtares, pasi të gjithë i druheshin një dëmtimi të rendë, i ngjashëm me atë të Vlahovic dhe De Bruyne.
Për fat të mirë, ekzaminimet e para flasin për një dëmtim në kofshën e djathtë, një të çarë të muskulit pak mbi meniskun e gjurit. Një dëmtim i tillë pritet ta mbajë Berishën afro një muaj larg fushës së lojës. E sigurt është se Berisha mbyll këtë vit.
Një dëmtim thuajse të ngjashëm pësoi edhe Berat Gjimshiti në takimin kundër Cagliari-t. Kapiteni kuqezi doli nga fusha në minutën e 10-të të pjesës së dytë. Sipas mediave italiane, edhe Gjimshiti ka pësuar një dëmtim në kofshën e djathtë dhe pritet të rikthehet në fillim të 2026.
